Përleshje të armatosura kanë shpërthyer pranë qytetit Sheraro, në rajonin perëndimor të Tigrayt në Etiopi, duke paraqitur një nga sfidat më serioze deri më tani për marrëveshjen e paqes të Pretorias, e nënshkruar në vitin 2022.
Qeveria etiopiane dhe Fronti Popullor për Çlirimin e Tigrayt (TPLF) kanë shkëmbyer akuza për nisjen e luftimeve, ndërsa secila palë fajëson tjetrën për përshkallëzimin e situatës.
Përplasjet kanë ngritur shqetësime se armëpushimi i arritur pas luftës shkatërrimtare dyvjeçare mund të vihet seriozisht në rrezik. Deri më tani nuk ka të dhëna të konfirmuara për numrin e viktimave apo të të plagosurve.
Marrëveshja e Pretorias, e nënshkruar në nëntor të vitit 2022, i dha fund konfliktit mes forcave federale etiopiane dhe TPLF-së, një luftë që shkaktoi dhjetëra mijëra viktima dhe një krizë të rëndë humanitare në veri të Etiopisë. Përleshjet e fundit rrisin frikën për një rikthim të dhunës në rajon. /mesazhi

