Impetigo është një infeksion bakterial shumë ngjitës që prek më shpesh fëmijët, por nuk kursen as të rriturit
Impetigo, i njohur në popull edhe si “koret e mjaltit”, është një infeksion bakterial i lëkurës që shfaqet më shpesh te fëmijët, por mund të prekë edhe të rriturit. Te të rriturit haset veçanërisht te personat me sistem imunitar të dobësuar ose te ata që kanë dëmtim të barrierës mbrojtëse të lëkurës. Temperaturat e larta dhe lagështia, karakteristike për verën, krijojnë kushte ideale për zhvillimin e këtij infeksioni.
Çfarë është impetigo dhe kush rrezikohet?
Impetigo shkakton plagë të vogla, flluska dhe më pas kore karakteristike me ngjyrë të verdhë si mjalti. Shkaktarët më të zakonshëm janë bakteret Staphylococcus aureus dhe Streptococcus pyogenes.
Infeksioni zakonisht zhvillohet në zona ku lëkura është dëmtuar më parë, si pas pickimeve të insekteve, prerjeve, gërvishtjeve ose ekzemës, megjithëse mund të shfaqet edhe në lëkurë të shëndetshme. Mund të prekë këdo, por më së shpeshti haset te fëmijët e moshës 2–5 vjeç. Rrezik më të lartë kanë edhe personat me imunitet të dobësuar, diabet, dermatit atopik ose sëmundje të tjera të lëkurës.
Infeksioni përhapet lehtësisht përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me plagët e një personi të infektuar ose me sende të kontaminuara, si rrobat, çarçafët, peshqirët dhe lodrat. Gjatë verës, rastet janë më të shpeshta në plazhe, parqe ujore dhe kampe për fëmijë, ndërsa edhe rëra mund të jetë burim infeksioni, transmeton Telegrafi.
Si shfaqet impetigo?
Ekzistojnë tre forma kryesore të impetigos: impetigo jobuloz, impetigo buloz dhe ektima (impetigo i thellë). Në të gjitha rastet shfaqen kore karakteristike, ndërsa nyjet limfatike pranë zonës së prekur mund të zmadhohen.
Impetigo jobuloz është forma më e zakonshme. Fillon me puçrra të vogla që shndërrohen në flluska të mbushura me qelb, të cilat më pas krijojnë kore me ngjyrë të artë. Lezionet shfaqen kryesisht rreth hundës dhe gojës, por mund të përhapen edhe në duar, këmbë dhe pjesë të tjera të trupit.
Impetigo buloz karakterizohet nga flluska më të mëdha, por më të pakta, që zakonisht nuk dhembin dhe nuk shoqërohen me skuqje përreth. Koret janë më shumë në ngjyrë kafe dhe lezionet shfaqen më shpesh në bark.
Ektima, ose impetigo i thellë, është forma më e rëndë. Në këtë rast infeksioni depërton edhe në shtresat më të thella të lëkurës. Shfaqen flluska të dhimbshme dhe plagë të thella që mbulohen me kore të trasha të verdha. Ndryshe nga format e tjera, ektima mund të lërë plagë (cikatrice) edhe pas shërimit. /


