Prishtina, mesazh të ashpër Beogradit: Sabotim i zbardhjes së fatit të të zhdukurve!
Në Kraljevo, në Serbinë qendrore, R.T. (1980) nga Istoku, Kosovë, u arrestua me dyshimin për kryerjen e krimit të spiunazhit, raportoi agjencia Tanjug, duke transmetuar pamje nga arrestimi.
Sipas agjencisë, Gjykata e Lartë në Kraljevo urdhëroi paraburgim deri në 30 ditë për R.T. pas një seance dëgjimore në Zyrën e Prokurorit të Lartë Publik në Kraljevo.
Sipas raportimeve të mediave nga Serbia, R.T. dyshohet se ka bashkëpunuar me shërbimin e inteligjencës shqiptare, i cili vepron në Kosovë, për një kohë të gjatë.
Shtohet se personi i arrestuar mblodhi dhe dorëzoi të dhëna dhe informacione mbi aktivitetet e ish-anëtarëve dhe aktualëve të Ushtrisë Serbe, Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë dhe strukturave të tjera të sigurisë shtetërore.
Thuhet se disa persona u arrestuan në Kosovë për shkak të aktiviteteve të tij, dhe se një numër i madh serbësh nga zona e Zubin Potokut dhe veriu i Kosovës u persekutuan.
Por më konkretisht, i arrestuari mendohet se është bërë shkak për gjetjen së fundi të një varri masiv me eshtra shqiptarësh në veriun e Kosovës, të cilët mendohet të jetë një grup intelektualësh nga Mitrovica të rrëmbyer dhe të zhdukur gjatë luftës.
Ndaj dhe ministri i Punës, Familjes, Mbrojtjes Sociale dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare të Kosovës, Andin Hoti, shkroi se arrestimi i një personi ndihmoi në zbulimin e varrit masiv të supozuar në Kosovë është “një përpjekje për të vrarë të vërtetën”.
“Ky nuk është një shtet që kërkon drejtësi. Ky është një aparat shtetëror që vazhdon të mbrojë kriminelët, të frikësojë dëshmitarët dhe të parandalojë zbulimin e fatit të personave të zhdukur. Çdo arrestim si ky dërgon një mesazh të qartë: kushdo që flet për varre masive do të ndëshkohet”, tha Hoti në Facebook. /tesheshi

