Situata më dramatike në zonën turistike të Potamit
Një zjarr i përmasave të mëdha shpërtheu mesditën e së premtes në kodrat e Radostinës, në Fier, duke u përhapur më pas drejt zonës së Levanit.
I favorizuar nga era e fortë dhe terreni i vështirë, zjarri përfshiu sipërfaqe me ullinj, shkurre dhe bimësi të ulët, duke iu afruar banesave dhe bizneseve pranë liqenit të Levanit.
Situata u përkeqësua gjatë pasdites, kur flakët hynë në zonat e banuara. Sipas raportimeve nga terreni, u dëmtuan banesa dhe biznese, ndërsa 10 familje u evakuuan për shkak të rrezikut. Tre persona u dërguan për ndihmë mjekësore pasi u asfiksuan nga tymi.
Në operacionin për shuarjen e zjarrit u angazhuan forca zjarrfikëse dhe të emergjencave civile, tetë mjete zjarrfikëse, dy helikopterë dhe një avion të tipit “Air Tractor”.
Autoritetet kanë nisur gjithashtu hetimet për të përcaktuar shkakun e zjarrit, ndërsa një nga pistat e hetimit është edhe mundësia e zjarrvënies së qëllimshme.
Një tjetër natë dramatike përjetoi Himara, ku një vatër e madhe zjarri që kishte nisur në zonat përreth u përhap deri në lagjen “1 Maji” dhe pranë zonës bregdetare.
Flakët rrezikuan dhjetëra banesa dhe struktura turistike, duke detyruar autoritetet të urdhërojnë evakuimin e një pjese të banorëve dhe turistëve nga zonat e rrezikuara.
Bilanci paraprak flet për gjashtë banesa të djegura, tre prej të cilave të banuara. Nga një prej banesave u shpëtuan dy të moshuar, ndërsa gjatë orëve të para të zjarrit rreth 40 ndërtesa të tjera ndodheshin nën kërcënimin e flakëve.
Për përballimin e situatës në Himarë u angazhuan rreth 300 forca të emergjencave civile nga Himara, Vlora, Finiqi, Delvina dhe Saranda, si edhe 150 efektivë të Forcave të Armatosura. Në gatishmëri u vendosën katër ambulanca, ndërsa situata u monitorua edhe me dron.
Pas rreth katër orësh përballje me flakët, autoritetet njoftuan se zjarri ishte vënë nën kontroll, ndërsa forcat në terren vijuan punën gjatë natës për shuarjen e plotë të vatrave dhe shmangien e një riaktivizimi të tyre. tesheshi

