Kompania franceze e energjisë EDF ka mbyllur tre reaktorë bërthamorë pasi kushtet e thatësirës ulën rrjedhën e ujit në lumenjtë Meuse dhe Moselle, raportuan mediat lokale, transmeton Anadolu.
Dy reaktorë në termocentralin bërthamor Chooz në rajonin verilindor Ardennes dhe një në objektin Cattenom në Moselle mbetën jashtë funksionit që nga e hëna pasdite, raportoi gazeta “Le Figaro”.
EDF mbylli reaktorin numër 1 të Choozit të shtunën vonë për t’iu përmbajtur një marrëveshjeje franko-belge të vitit 1998 që rregullon menaxhimin e lumit Meuse. Reaktori i dytë i termocentralit ka qenë jashtë funksionit që nga 11 korriku sipas të njëjtës marrëveshje.
Marrëveshja lejon që prodhimi i energjisë elektrike të rregullohet për të ruajtur rrjedha të mjaftueshme uji për përdoruesit e Meuses si në Francë ashtu edhe në Belgjikë, tha EDF-ja.
Kompania gjithashtu mbylli një nga reaktorët e termocentralit Cattenom gjatë natës nga e premtja deri të shtunën si një masë paraprake për shkak të rënies së niveleve të ujit në lumin Moselle. EDF ka ulur ose planifikon të ulë prodhimin në katër reaktorë të tjerë: Bugey 3, Tricastin 4 dhe Saint-Alban 1 dhe 2.
Franca operon 57 reaktorë bërthamorë, të cilët gjenerojnë afërsisht 70 për qind të energjisë elektrike të vendit.
Centralet bërthamore në përgjithësi ndodhen pranë lumenjve ose detit sepse kërkojnë sasi të mëdha uji për ftohje. Gjatë thatësirave dhe valëve të nxehtësisë, rrjedhat më të ulëta të lumenjve dhe temperaturat në rritje të ujit mund ta detyrojnë EDF-në të kufizojë ose pezullojë prodhimin.
Kufizimet kanë për qëllim të mbrojnë ekosistemet ujore duke parandaluar që impiantet të ngrohin më tej lumenjtë me ujë ftohës të shkarkuar ose të lëshojnë disa mbetje kimike dhe radioaktive kur nivelet e ujit janë të ulëta.
Departamentet Ardennes dhe Moselle u vendosën nën alarm të verdhë për shkak të valës së të nxehtit të hënën, pasi temperaturat ekstreme vazhduan në pjesë të vendit.

