Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) paralajmëroi sot se shpërthimi i Ebolës Bundibugyo në Republikën Demokratike të Kongos është rritur përtej kapacitetit të përgjigjes aktuale dhe bëri thirrje për mbështetje urgjente financiare dhe operacionale për të frenuar përhapjen e saj, transmeton Anadolu.
“Përhapja po zgjerohet përtej kapacitetit të reagimit për të menaxhuar. Tani është më i madhi me të cilin është përballur ndonjëherë vendi”, u tha gazetarëve në Gjenevë dr. Vasee Moorthy, ushtrues detyre i projektit për R&D të OBSH-së.
Moorthy tha se përgjigjja kërkon më shumë fonde dhe burime për të zgjeruar kapacitetin e trajtimit, ekipet e hetimit në terren, ekipet e varrimit të sigurt dhe punonjësit e shëndetit në komunitet, duke shtuar se përpjekjet duhet të përqendrohen në zonat ku virusi po përhapet aktualisht dhe ku ka të ngjarë të përhapet më pas.
Që nga 1 gushti, shpërthimi ka shkaktuar 3.748 raste dhe 1.657 vdekje të konfirmuara, me 708 të shëruar. Rastet janë raportuar në 49 zona shëndetësore në pesë provinca ndërsa rreth 17 mijë kontakte janë nën monitorim, me më shumë se 80 për qind të ndjekur çdo ditë.
Ai tha se aktualisht nuk ka trajtime të provuara të sigurta dhe efektive, vaksina apo ilaçe parandaluese posaçërisht për Bundibugyo Ebola, megjithëse qasja e hershme në kujdesin mbështetës mund të shpëtojë jetë.
Moorthy shtoi se provat klinike të trajtimeve eksperimentale dhe një ilaç potencial parandalues pas ekspozimit janë duke u zhvilluar në RD të Kongos ndërsa dy vaksina kandidate specifike të Bundibugyo kanë hyrë në provat e Fazës 1 në Britani dhe Kanada.

