Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se është e nevojshme të vazhdojnë diskutimet politike mes partive, në mënyrë që të arrihet një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës, para se të procedohet me konstituimin e plotë të Kuvendit.
Pas ndërprerjes së seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Kurti ka thënë se një konstituim pa marrëveshje për presidentin do të krijonte rrezik për shpërndarjen e Kuvendit dhe për një situatë të re politike.
“Duhet t’i japim shans marrëveshjes politike apo konsensusit për presidentin apo presidenten e re. Çfarëdo konstituimi i Kuvendit pa marrëveshje për presidentin do të ishte parapërgatitje për shpërndarjen e Kuvendit. Marrëveshja është rruga e duhur për konstituimin e institucioneve, ashtu siç e kërkon rendi kushtetues”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar që diskutimet me partitë opozitare të nisin menjëherë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve, por sipas tij, për shkak të zhvillimeve të brendshme në disa subjekte politike, këto takime janë zhvilluar vetëm ditët e fundit.
“Që nga certifikimi, pa humbur kohë, kemi dashur t’u japim shans diskutimeve, ashtu siç patën kërkuar partitë opozitare pas zgjedhjeve. Megjithatë, për shkak të dinamikave në LDK, takimet i mbajtëm vetëm para pak ditësh. Diskutimi i fundit tregoi se nuk ishte kohë e mjaftueshme për të arritur dakordim”, ka thënë Kurti.
Sipas tij, vazhdimi i bisedimeve është i domosdoshëm për të shmangur një proces që mund të çojë në dështimin e konstituimit të institucioneve.
“Përballë kësaj situate, është e nevojshme t’i jepet shans vazhdimit të diskutimeve para se të lëvizim për konstituimin e Kuvendit, gjë që mund ta vështirësonte marrëveshjen potenciale dhe evitimin e zgjedhjeve të radhës”, është shprehur Kurti.
Ai ka përsëritur se institucionet duhet të formohen vetëm pasi të ketë një dakordim për çështjen e presidentit.
“Na duhet të marrim kohë shtesë për diskutime dhe vetëm atëherë kur të kemi arritur dakordime për presidentin, të procedojmë për konstituimin e plotë të institucioneve. Herën e kaluar e pamë se pa gjetur zgjidhje për presidentin pati vështirësi”, ka deklaruar Kurti.

