RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Mucunski: Meritojmë një rrugë të drejtë, të parashikueshme dhe kredibile drejt anëtarësimit në BE

mucunski:-meritojme-nje-rruge-te-drejte,-te-parashikueshme-dhe-kredibile-drejt-anetaresimit-ne-be

Ministri i Punëve të Jashtme dhe i Tregtisë së Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski tha se vendi meriton një rrugë të drejtë, të parashikueshme dhe kredibile drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian (BE), transmeton Anadolu.

Në një intervistë për “Brussels Playbook” të “Politico”-s, Mucunski u ndal te procesi i anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE.

“Po, ndonjëherë jemi shumë të frustruar për shkak të mungesës së rezultateve politike”, theksoi Mucunski duke shtuar se vendi është bërë një “studim rasti” për mënyrën se si mosmarrëveshjet dypalëshe mund të pengojnë procesin e zgjerimit të BE-së.

“Të thuhet se ndaj nesh është vepruar në mënyrë të padrejtë është një formulim shumë i butë”, theksoi Mucunski.

Në tekst rikujtohet se vendi ndryshoi flamurin në vitin 1995, ndërsa emrin në vitin 2019, pas së cilës rruga e tij evropiane u bllokua për shkak të kërkesës së Bullgarisë për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë.

Ideja për ndryshimin e Kushtetutës u bë politikisht toksike pas “shumë” lëshimeve të bëra, tha Mucunski duke shtuar se maqedonasit janë lodhur nga “zhvendosja e vazhdueshme e objektivit” dhe nuk besojnë se Bullgaria thjesht nuk do të kërkojë diçka të re.

“Kjo është një keqpërdorim absolut i pozitës së një vendi anëtar të Bashkimit Evropian”, tha Mucunski.

Ai e krahasoi situatën me marrëdhëniet mes Irlandës dhe Mbretërisë së Bashkuar, duke vlerësuar se dallimet e tyre të ndërlikuara ndoshta nuk do të mund të tejkaloheshin pa anëtarësimin e përbashkët në BE.

“Menjëherë pas nesh, Bullgaria ka më së shumti për të përfituar nga përparimi i vendit tonë drejt anëtarësimit të plotë”, theksoi Mucunski.

Ai nënvizoi se nuk mendon se do t’i bënte diçka të dobishme shtetit nëse do të kritikonte mënyrën e marrjes së vendimeve në BE. Në të njëjtën kohë, ai tha se vendi e ka merituar vendin e tij në Union dhe se pret një rrugë të drejtë, të parashikueshme dhe kredibile përpara.

“Vendi ynë nuk e ka luksin të ketë alternativë B ose alternativë C”, përfundoi Mucunski.

Related posts

Instituti i Krimeve të Luftës me dokumentar për Masakrën e Reçakut – dëshmi që flasin me gjuhën e së vërtetës

admin

Gjermania: BE-ja duhet të bjerë dakord për asetet e ngrira ruse për të forcuar pozicionin e Ukrainës

Muhamet Ramadani

ISIS merr përgjegjësi për sulmin me 3 të vdekur në Gjermani, çfarë dihet deri më tani për 15-vjeçarin e arrestuar

admin