Spanja kërcënoi sot se do të marrë “masa proporcionale” kundër Italisë nëse Roma nuk heq kontrollet e përkohshme kufitare të vendosura pas kalimit masiv të emigrantëve javën e kaluar në enklavën spanjolle të Ceuta, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë të ndarë për mediat, qeveria spanjolle e përshkroi vendimin e Italisë për të rivendosur kontrollet kufitare me Spanjën javën e kaluar si “të padrejtë” dhe “të paprecedentë në historinë e fundit”, duke argumentuar se masa u imponua në mënyrë të njëanshme dhe pa njoftim paraprak.
Madridi i dha afat Italisë deri të dielën për të hequr kontrollet. “Nëse nuk e bën këtë para fundit të së dielës, 9 gusht, Spanja do të jetë e detyruar të miratojë masa proporcionale për të mbrojtur interesat dhe dinjitetin e qytetarëve të saj”, tha qeveria.
Spanja argumentoi se masat kanë ndërprerë udhëtimin për mijëra pasagjerë gjatë sezonit të pikut të pushimeve verore dhe kanë krijuar pasiguri ligjore.
Qeveria hodhi poshtë justifikimin e Italisë se kontrollet ishin të nevojshme për shkak të krizës së migracionit në Ceuta, duke theksuar se enklava ka një status të veçantë sipas sistemit Shengen dhe se emigrantët që hynë në territor nuk mund të udhëtojnë lirshëm në zonën pa pasaporta të Evropës.
Ajo tha se “shumica dërmuese” e rreth 72 mijë emigrantëve që hynë në Ceuta gjatë kalimit masiv më 30 korrik janë kthyer tashmë në Marok.
Madridi kritikoi të dhënat e migracionit të Italisë, duke theksuar se sipas agjencisë kufitare të BE-së, Frontex, Italia ka regjistruar dy herë më shumë kalime kufitare të parregullta se Spanja në vitet e fundit dhe duke argumentuar se Spanja nuk ka vendosur kurrë kontrolle kufitare ndaj Italisë.
Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez mbajti sot takim koordinues me disa ministra të lartë për të diskutuar lidhur me situatën. Sipas të dhënave të fundit të qeverisë, janë gjetur 80 trupa të emigrantëve që humbën jetën gjatë kalimit masiv.

