RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Kryeministri Rama: Nuk kemi nevojë për një Shqipëri të Madhe për të qëndruar në krah të Kosovës

kryeministri-rama:-nuk-kemi-nevoje-per-nje-shqiperi-te-madhe-per-te-qendruar-ne-krah-te-kosoves

Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar pas deklaratës së fundit të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq lidhur me deklaratat e tij për ndryshimin e rrjedhës së lumit Ibër dhe çështjen e Kosovës, transmeton Anadolu.

Rama nëpërmjet rrjeteve sociale ka ironizuar deklaratat e palës serbe, duke thënë se debati për lumin Ibër përfundoi duke kaluar nga hidrologjia te e drejta ndërkombëtare, “Shqipëria e Madhe” dhe pretendimet historike të Serbisë.

“Edhe pse prisja një përgjigje për Ibrin, në njëfarë mënyre udhëtuam nga hidrologjia te e drejta ndërkombëtare, bëmë ndalesën e detyrueshme te ‘Shqipëria e Madhe’, kaluam përmes ‘Kosovës dhe Metohisë’ dhe në fund mbërritëm te muzeu i njohur i ankthit historik serb”, shkroi Rama.

Kryeministri shqiptar kundërshtoi kategorikisht çdo pretendim se Shqipëria ka interesa territoriale ndaj Serbisë derisa tha po ashtu se “as nuk kemi nevojë për një Shqipëri të Madhe për të qëndruar në krah të Kosovës”.

Rama theksoi se Kosova është një shtet më vete dhe se shqiptarët e Kosovës kanë institucionet dhe të drejtën për të përcaktuar të ardhmen e tyre.

“Kosova është një shtet më vete. Shqiptarët e Kosovës janë pikërisht kjo: shqiptarë të Kosovës. Ata kanë Republikën e tyre, institucionet e tyre dhe të drejtën për të përcaktuar të ardhmen e tyre. Ne do të qëndrojmë gjithmonë në mbështetje të kësaj të drejte”, vijoi kryeministri.

Në një nga pjesët e reagimit të tij, Rama shprehet se Serbia e ka humbur Kosovën dhe se përsëritja e të kundërtës nuk ndryshon realitetin.

“Serbia e humbi Kosovën. Përsëritja se nuk e ka humbur mund ta shndërrojë ndoshta humbjen në fitore në gjeografinë e imagjinatës politike, por fatkeqësisht hartat janë më pak tolerante”, shkruan ai.

Më tej Rama tha se territori i Republikës së Kosovës nuk është territor i Serbisë dhe se burimet natyrore që ndodhen në të nuk mund të konsiderohen burime të Republikës së Serbisë. Ai tha se pikërisht për këtë ekziston e drejta ndërkombëtare e ujërave derisa shtoi se lumenjtë ndjekin gjeografinë dhe jo argumentet diplomatike.

“Lumi Ibër, lumturisht i pavetëdijshëm për gjithë hartografinë tonë historike, do të vazhdojë të rrjedhë sipas gjeografisë dhe jo sipas folklorit”, tha Rama.

Ai theksoi se Shqipëria i jep rëndësi edhe të drejtave të komunitetit serb në Kosovë ku prona, gjuha, trashëgimia e tyre kulturore dhe fetare duhet të mbrohen.

Related posts

Pse izraelitët janë kaq shumë të shqetësuar për fatin e Erion Veliajt?

Irfan Jahiu

2000 anëtarë të tjerë të dyshuar të bandës u transferuan në mega-burgun e ri në El Salvador

admin

Lufta në Lindjen e Mesme, Izraeli pretendon se ka marrë nën kontroll një zonë kyçe të kufirit të Gazës me Egjiptin

admin