Komuniteti ndërkombëtar duhet të kalojë nga deklaratat te veprimet konkrete
Ramzy Baroud, Arab News
Tashmë është zyrtare: kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka refuzuar kushtet kryesore të kuadrit të propozuar nga “Bordi i Paqes” për Gazën, duke deklaruar se Izraeli nuk do të pranojë as armëpushimin dhe as tërheqjen e forcave të tij nga territori palestinez.
Në një mbledhje të kabinetit qeveritar, Netanyahu tha se Izraeli e refuzon dokumentin me 15 pika të publikuar nga “Bordi i Paqes”.
Edhe më herët, gjatë bisedimeve me të dërguarin kryesor Nickolay Mladenov, ai kishte vendosur kushte që do ta bënin praktikisht të pamundur një marrëveshje reale paqeje, përfshirë kërkesën që ushtria izraelite të ruante lirinë për të goditur në çdo moment brenda Gazës.
Qëndrimi i tij është përforcuar edhe nga drejtuesit ushtarakë izraelitë, të cilët kanë përcaktuar tri “vija të kuqe”: liri të plotë operacionale për të goditur çdo kërcënim në Gaza, kontroll të rreptë mbi armët që hyjnë ose dalin nga territori dhe refuzim të çdo tërheqjeje ushtarake derisa Hamasi të jetë “çarmatosur plotësisht”.
Këto deklarata nuk lënë shumë hapësirë për iluzione. Qeveria izraelite nuk duket se ka ndërmend të përfundojë ofensivën në Gaza apo të heqë dorë nga kontrolli mbi territorin.
Madje muajt e fundit, Netanyahu ka folur hapur edhe për synimin e zgjerimit të pranisë ushtarake izraelite në Gaza. Sipas tij, ushtria është udhëzuar të zgjerojë kontrollin territorial dhe të mbajë përgjithmonë nën kontroll të paktën 70 për qind të Rripit të Gazës.
Ndërkohë, ministra të së djathtës ekstreme, si Bezalel Smotrich dhe Orit Strock, kanë kundërshtuar edhe vendosjen e një force ndërkombëtare stabilizimi në Gaza. Këto zhvillime tregojnë se deklaratat diplomatike nuk mjaftojnë më. Prandaj unë propozoj pesë fronte ku duhet të veprojë komuniteti ndërkombëtar.
Së pari, fronti diplomatik. Qeveritë arabe, muslimane dhe vendet aleate duhet të përdorin të gjitha mekanizmat ndërkombëtarë, veçanërisht Asamblenë e Përgjithshme dhe Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Duhet të kalohet përtej deklaratave simbolike dhe të kërkohen sanksione, si dhe një embargo e përgjithshme ndaj armëve që i dërgohen Izraelit.
Së dyti, fronti i shoqërisë civile. Një fushatë globale duhet ta rikthejë në qendër të vëmendjes jo vetëm Gazën, por edhe Bregun Perëndimor. Duhet të demaskohen objektivat më të gjera territoriale të Izraelit, ndërsa sindikatat, organizatat qytetare dhe lëvizjet sociale duhet t’u bëjnë presion qeverive të tyre për të kufizuar lidhjet diplomatike, ekonomike dhe ushtarake me Izraelin deri në respektimin e së drejtës ndërkombëtare.
Së treti, fronti juridik. Gjykata Ndërkombëtare Penale duhet të përshpejtojë procedurat dhe të ushtrohet presion për zbatimin e urdhërarresteve ndaj zyrtarëve të lartë izraelitë. Njëherazi, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë duhet të vijojë procedurat lidhur me akuzat për shkelje të Konventës për Gjenocidin.
Së katërti, fronti mediatik. Lipset një përpjekje të koordinuar të mediave ndërkombëtare për të kundërshtuar propagandën izraelite dhe për të mbajtur vëmendjen te pasojat konkrete të luftës. Mediat e pavarura duhet të pasqyrojnë më shumë dëshmitë dhe përvojën e palestinezëve, në vend që të kufizohen te narrativat zyrtare që e paraqesin ofensivën izraelite vetëm si vetëmbrojtje.
Së pesti, fronti humanitar. Ndihmat ushqimore, ilaçet dhe materialet për strehim duhet të hyjnë menjëherë dhe në përmasa të mëdha në Gaza. Duhen krijuar korridore humanitare të mbrojtura ndërkombëtarisht. Po ashtu, ndihma humanitare nuk duhet të mbetet peng i vendimeve politike apo ushtarake.
Njohja e asaj që po ndodh në Gaza nuk mjafton. Dhe as deklaratat e solidaritetit. Nëse komuniteti ndërkombëtar dëshiron të ndalë normalizimin e dhunës dhe të mbajë përgjegjës ata që janë përgjegjës për krimet, duhet të kalojë nga ndërmjetësimi pasiv te presioni dhe zbatimi konkret i mekanizmave ndërkombëtarë.
Sfida kryesore nuk është mungesa e informacionit, por mungesa e vullnetit politik për të vepruar. tesheshi

