Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, priti në takim senatorën amerikane Joni Ernst, të cilën e vlerësoi si mike të dëshmuar të Kosovës dhe një zë të rëndësishëm në mbështetje të partneritetit ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Gjatë takimit, Haxhiu dhe senatorja Ernst diskutuan për zhvillimet aktuale politike në Kosovë, çështjet e sigurisë dhe rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së.
“Me senatoren Ernst diskutova për zhvillimet aktuale politike në Kosovë, për çështjet e sigurisë dhe për rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit të ngushtë me Shtetet e Bashkuara”, thuhet në njoftimin e ushtrueses së detyrës së Presidentes.
Në shenjë mirënjohjeje për angazhimin e saj ndër vite në mbështetje të Kosovës, Haxhiu e dekoroi senatorën amerikane me Medaljen Presidenciale të Meritave.
Sipas njoftimit, dekorimi iu dha Ernst për kontributin në fuqizimin e partneritetit ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së, si dhe për mbështetjen e zhvillimit të kapaciteteve mbrojtëse të Republikës së Kosovës.
“E dekorova senatoren Ernst me Medaljen Presidenciale të Meritave, për kontributin e çmuar në fuqizimin e partneritetit Kosovë–SHBA dhe në mbështetjen e zhvillimit të kapaciteteve mbrojtëse të Republikës së Kosovës”, ka theksuar Haxhiu.
Ushtruesja e detyrës së Presidentes theksoi se Kosova do të vazhdojë ta shohë partneritetin me Shtetet e Bashkuara si një prej shtyllave kryesore të politikës së saj të jashtme dhe të sigurisë.
“Kosova do të vazhdojë ta ndërtojë të ardhmen e saj krah Shteteve të Bashkuara, duke forcuar një partneritet që për vendin tonë ka rëndësi të veçantë strategjike dhe historike”, u shpreh Haxhiu.

