RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

OKB: Tërmeti në Kolumbi ka dëmtuar gati 5.000 shtëpi dhe 24 objekte shëndetësore

okb:-termeti-ne-kolumbi-ka-demtuar-gati-5.000-shtepi-dhe-24-objekte-shendetesore

Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.4 ballë që goditi Kolumbinë të hënën dëmtoi gati 5.000 shtëpi dhe 24 objekte shëndetësore si dhe preku qindra shkolla, qendra komunitare dhe rrugë, thanë sot zyrtarët e OKB-së, transmeton Anadolu.

Zëdhënësi i Zyrës së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA), Jens Laerke u tha gazetarëve në Gjenevë se gati 5.000 shtëpi janë dëmtuar dhe 387 janë shkatërruar ndërsa 61 ndërtesa janë shembur.

Më shumë se 550 institucione arsimore dhe mbi 350 qendra komunitare u prekën gjithashtu, tha ai. Laerke tha se raportet zyrtare tregojnë ndërprerje në shërbimet thelbësore, duke përfshirë energjinë elektrike, furnizimin me ujë, kujdesin shëndetësor dhe lidhjen, në disa qytete, ndërsa 53 rrugë janë prekur në të gjithë vendin.

Të paktën 126 persona humbën jetën dhe 1.495 të tjerë u plagosën, sipas shifrave zyrtare të qeverisë, shtoi ai.

Zëdhënësi i OBSH-së, Tarik Jashareviq tha se dëmet janë raportuar në 24 objekte shëndetësore në gjashtë departamente, ku Valle del Cauca, veçanërisht Cali, pësoi ndikimin më të rëndësishëm në infrastrukturën shëndetësore.

Një pjesë e një kulle që strehonte shërbime kardiologjike dhe pediatrike në spitalin “Universitario del Valle” u shemb ndërsa klinika “Nuestra” u evakuua plotësisht.

“Dëmtimi i sistemeve të ujit ka krijuar sfida shtesë operacionale për objektet shëndetësore”, tha Jashareviq.

Laerke tha se Kolumbia nuk ka bërë ende kërkesë zyrtare për ndihmë ndërkombëtare.

Related posts

Zelensky: Pa ndihmën amerikane, do ta humbasim luftën

admin

Italia e vendosur për ta mbështetur procesin e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE

RTI

Delegacioni i nivelit të lartë të BE-së arrin në Kiev për Samitin e përbashkët

admin