RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Pse Rama qorton Zelensky-n për Kosovën, por hesht si peshku për krizën e saj institucionale?

pse-rama-qorton-zelensky-n-per-kosoven,-por-hesht-si-peshku-per-krizen-e-saj-institucionale?

Bllokimi i institucioneve, një kosto të drejtpërdrejtë për Kosovën dhe marrëdhëniet e saj me Perëndimin

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas deklaratës së presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në Beograd se Ukraina nuk do ta njohë Kosovën.

Në një reagim në rrjetet sociale, Rama e cilëson të gabuar qëndrimin e Kievit, por kundërshton çdo ide për të zbutur mbështetjen ndaj Ukrainës për shkak të kësaj çështjeje.

“Miku im i dashur Volodymyr Zelensky qëndroi në Beograd dhe tha se Ukraina nuk do ta njohë kurrë Kosovën”, shkruan Rama.

Ai kritikon ata që, pas deklaratës së presidentit ukrainas, kërkuan që Shqipëria dhe Kosova t’i kthejnë shpinën Kievit. Sipas Ramës, mbështetja ndaj një vendi që përballet me agresion nuk mund të funksionojë si një marrëdhënie shkëmbimi.

“Liria nuk funksionon me kthim borxhesh”, thekson kryeministri, duke shtuar se qëndrimi kundër një lufte agresioni nuk mund të varet nga fakti nëse pala tjetër mbështet apo jo interesat tona në çdo çështje.

Rama shkon edhe më tej, duke deklaruar se Ukraina “është gabim për Kosovën”, por se e drejta e saj për të qenë e lirë mbetet e padiskutueshme.

Por pikërisht këtu nis paradoksi politik i qëndrimit të kryeministrit shqiptar.

Rama gjen kohë dhe formulime të forta për të mbrojtur Ukrainën dhe për t’i “qortuar” ata që kritikojnë Zelenskyn, por nuk shfaq të njëjtin shqetësim publik për krizën e rëndë politike dhe institucionale në Kosovë.

Kosova ndodhet përballë një ngërçi që rrezikon funksionimin e institucioneve themelore dhe mund ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të tjera të parakohshme.

Çdo vonesë ka pasoja jo vetëm politike, por edhe ekonomike e strategjike, ndërsa Kosova rrezikon të humbasë fonde të rëndësishme europiane dhe të thellojë distancën me partnerët ndërkombëtarë. Atëherë, pse hesht Edi Rama?

A është vërtet kaq parimor sa të mos ndërhyjë në një krizë të brendshme politike, edhe pse prej kohësh ka një armiqësi të hapur me Albin Kurtin? Ky argument nuk duket plotësisht bindës.

Një tjetër mundësi është që Rama të mos dëshirojë të perceptohet si mbështetës i Kurtit, ndërsa në prapaskenë mund të favorizojë forcat opozitare, përfshirë PDK-në dhe AAK-në.

Nuk ka prova publike që ai po vepron në këtë mënyrë, ndaj kjo mbetet një hipotezë politike. Por pyetja është e pashmangshme: a po kërkohet realisht zgjidhja e krizës së Kosovës, apo po lejohet që ngërçi të thellohet për arsye politike?

Sepse nëse parimi i Ramës është se “liria nuk funksionon me kthim borxhesh”, atëherë i njëjti parim duhet të vlejë edhe për Kosovën. Mbështetja ndaj saj nuk mund të kushtëzohet nga llogaritjet meskine dhe konfliktet politike të momentit. tesheshi

Related posts

Miratohet projektligji për shërbimet e pagesave, Murati: Ulet kostoja e shërbimeve të pagesave

Irfan Jahiu

Klitschko: Nuk përjashtohet mundësia që Kievi të mbetet pa rrymë dhe ujë

admin

Zelensky: Furnizimet ushtarake perëndimore e çojnë Ukrainën në një nivel të ri

admin