Palestinezë, së bashku me aktivistë të huaj dhe izraelitë të krahut të majtë, mbajtën sot protestë në vendbanimin Qusra të Bregut Perëndimor të pushtuar, përpara se të drejtoheshin drejt tri shtëpive të palestinezëve që prej pesë ditësh radhazi janë nën rrethimin e kolonëve izraelitë, raporton Anadolu.
Protestuesit u mblodhën në zonën Ras al-Ain të Qusra-s, në jug të Nablusit dhe më pas u nisën drejt shtëpive të rrethuara për të parë gjendjen e banorëve dhe për t’u dërguar furnizime jetike, raportoi gazetari i Anadolu-s.
Ushtarët izraelitë i penguan aktivistët të hynin në shtëpi, duke pretenduar se zona ishte “zonë ushtarake e mbyllur”. Megjithatë, protestuesit arritën t’u dorëzonin banorëve ushqime, ujë dhe furnizime të tjera të domosdoshme.
Më herët, kolonët izraelitë kishin ngritur sërish një tendë pranë shtëpive të tri familjeve palestineze në zonën Ras al-Ain ndërsa rrethimi kishte hyrë në ditën e pestë radhazi. Dëshmitarët okularë thanë për Anadolu se kolonët e ngritën përsëri tendën pranë shtëpive palestineze përpara se të mbërrinin ushtarët izraelitë, të cilët më pas e çmontuan atë.
Megjithatë, kolonët vazhduan t’i mbanin shtëpitë nën rrethim dhe t’u kufizonin lëvizjen banorëve, thanë dëshmitarët. Këto zhvillime erdhën një ditë pasi qindra ushtarë izraelitë bastisën vendbanimin.
Kryetari i Këshillit të qytetit, Abdul Azim Wadi tha për Anadolu të enjten se forcat izraelite sekuestruan 16 shtëpi palestineze dhe i kishin shndërruar ato në kazerma ushtarake. Ai shtoi se ushtria kishte dëbuar banorët nga disa shtëpi, përfshirë familjet që tashmë ishin nën rrethimin e kolonëve izraelitë.
Dëshmitarët okularë thanë se ushtarët izraelitë u tërhoqën sot në mëngjes nga shtëpitë palestineze që kishin sekuestruar një ditë më parë. Tri familjet në Ras al-Ain ndodhen nën rrethimin e dhjetëra kolonëve izraelitë që nga e diela.
Kolonët kanë ngritur një tendë dhe struktura të tjera të përkohshme, kanë bllokuar rrugët që çojnë drejt shtëpive, kanë penguar dërgimin e ushqimit, ujit dhe ilaçeve si dhe kanë ndërprerë linjat e ujit dhe energjisë elektrike, sipas dëshmive palestineze.

