Të paktën 11 persona janë vrarë në sulmet izraelite në Libanin jugor, në një nga ditët më të përgjakshme që nga shpallja e armëpushimit të ndërmjetësuar nga SHBA-ja në qershor.
Kryeministri libanez Nawaf Salam tha se shtatë persona u vranë në një sulm ndaj një shtëpie në periferi të Ansarit, rreth 70 kilometra në jug të Bejrutit. Mediat shtetërore raportuan se në mesin e viktimave ishin tre fëmijë dhe dy gra.
Më vonë, sulme të tjera goditën qytetin Deir al-Zahrani, ku, sipas Ministrisë libaneze të Shëndetësisë, u vranë katër persona dhe u plagosën pesë të tjerë.
Autoritetet libaneze thanë se sulmi në Ansar ndodhi rreth orës 04:30 dhe goditi një zonë ku jetonin familje të zhvendosura.
Kryeministri Salam dënoi sulmet dhe kërkoi ndalimin e përshkallëzimit. Ai tha se civilët e vrarë nuk ishin pjesë e ndonjë infrastrukture ushtarake.
Izraeli: U vra një komandant i Hezbollahut
Ushtria izraelite tha se sulmi në Ansar kishte për objektiv Ali Samir al-Haj Hassan, të cilin e përshkroi si komandant të një batalioni të Hezbollahut në njësinë Radwan.
Sipas ushtrisë izraelite, sulmi ishte kryer pas një sulmi ndaj ushtarëve izraelitë, ku tre prej tyre u plagosën rëndë.
Izraeli pretendoi se Hassan dhe pjesëtarë të tjerë të Hezbollahut ndodheshin në një seli ushtarake dhe se familjarët e tij po përdoreshin si “mburoja njerëzore”.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu mbrojti sulmin, duke thënë se objektivi ishte një seli e Hezbollahut që kishte urdhëruar sulmin ndaj ushtarëve.
Hezbollahu i hodhi poshtë këto pretendime, duke i cilësuar si të rreme dhe akuzoi Izraelin se civilët libanezë ishin shënjestruar qëllimisht në shtëpitë e tyre.
Sulmet e fundit kanë rritur shqetësimet për përshkallëzimin e situatës në Libanin jugor, pavarësisht marrëveshjes së armëpushimit të shpallur në qershor. /mesazhi

