Libri që rrëfen sesi lobi pro-izraelit dikton politikën e jashtme të SHBA-ve
Marrëdhënia midis Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit mund të lexohet në dy mënyra. E para, ajo tradicionale, i sheh ata si aleatë të ngushtë me interesa strategjike të përbashkëta në Lindjen e Mesme.
E dyta është më e pakëndshme: çfarë ndodh kur një qeveri e huaj arrin të ndërtojë në Uashington një rrjet kaq të dendur politikash, sa kundërshtimi ndaj politikave të saj kushton shtrenjtë?
Kjo shtjellohet në librin e Eli Clifton dhe Ian Lustick, “Lobi i Izraelit: Amerika nën kthetrat e një fuqie të huaj”. Autorët nuk pretendojnë se Izraeli kontrollon Amerikën – një tezë e tillë do të ishte tepër e thjeshtë.
Ata parashtrojnë diçka më delikate. Një rrjet pro-izraelit, tepër i organizuar, ka arritur të ndikojë në mënyrë disproporcionale në ekuilibrin e kostove dhe përfitimeve të çdo vendimi politik në Uashington.
Dhe kjo, theksojnë ata, është shumë më domethënëse se çdo teori konspirative. Për dekada, AIPAC (Komiteti Amerikan i Çështjeve Publike të Izraelit) organizata dhe grupi i lobimit pro-izraelit më i fuqishëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka vepruar si një grup presioni klasik.
Por gjithçka ndryshoi kur ndikimi kaloi nga lobimi i thjeshtë në diktimin e rezultateve zgjedhore. AIPAC krijoi një super PAC për ciklin zgjedhor të 2022-ës, duke e zhvendosur balancën e pushtetit.
Tani një politikan nuk përballet më vetëm me një argument, por me kërcënimin real të një kundërshtari të financuar mirë. Fuqia e vërtetë e këtij lobi nuk qëndron te sa politikanë bind, por te sa prej tyre i frikëson aq shumë sa zgjedhin të mos kundërshtojnë fare.
Megjithatë, disfatat e kandidatëve të mbështetur nga AIPAC – si në Michigan, ku Abdul El-Sayed fitoi pavarësisht mbështetjes së madhe financiare për kundërshtarin e tij – tregojnë se lobi nuk është i gjithëfuqishëm dhe se elektorati e ruan ende pavarësinë e tij.
Ajo që zbulojnë këto beteja zgjedhore, është se ato janë kthyer në një fushëbetejë ku vendoset se cilat qëndrime ndaj Izraelit lejohen të jenë politikisht të pranueshme. Por dimensioni më i rëndësishëm nuk janë paratë e fushatave, por vetë politika e jashtme.
Ndihma ushtarake amerikane dhe bashkëpunimi me Izraelin përfaqësojnë interesa të vërteta të SHBA-ve. Pyetja është: a do të ekzistonin të gjitha këto pa presionin e rrjetit pro-izraelit?
John Mearsheimer dhe Stephen Walt kanë argumentuar se kjo marrëdhënie e veçantë nuk mund të shpjegohet vetëm me faktorë gjeostrategjikë dhe se lobi ka luajtur një rol kryesor në formësimin e saj.
Ky debat vazhdon prej dy dekadash – dhe fakti që nuk zbehet tregon se nuk mund të shpërfillet. Një tjetër levë e fuqishme është qasja.
Sipas The Guardian, një organizatë e lidhur me AIPAC ka financuar udhëtime në Izrael për të paktën 78 anëtarë të Kongresit që nga tetori i 2023-ës, me kosto mbi 4.2 milionë dollarë.
Këto udhëtime janë të ligjshme, por efekti i tyre politik është i jashtëzakonshëm. Ato diktojnë mënyrën se si politikanët e shohin botën dhe e bëjnë më të vështirë çdo largim nga linja zyrtare.
Debati për Izraelin ka hyrë prej kohësh në zemër të Amerikës: në universitete, media dhe fushata politike. Nga njëra anë, antisemitizmi është një problem real. Vetëm në vitin 2025 u regjistruan 6,274 incidente në SHBA. Por nga ana tjetër, akuzat për antisemitizëm përdoren gjithnjë e më shumë si armë politike për të barazuar kritikën ndaj qeverisë izraelite me armiqësi ndaj hebrenjve, duke ngushtuar hapësirën e lirisë së shprehjes.
Organizatat që mbrojnë lirinë e fjalës, kanë paralajmëruar se lufta kundër antisemitizmit mund të kthehet në një mekanizëm që e frenon debatin legjitim. Dhe këtu çështja e lobimit merr një peshë kushtetuese.
Ajo që ishte konsideruar për dekada një sistem i pathyeshëm, tani po përballet me reagime. Opinioni publik po ndryshon, sidomos tek demokratët e rinj, dhe ka filluar të plasaritet konsensusi dypartiak rreth Izraelit.
Pothuajse gjysma e Demokratëve në Kongres mbështeti një amendament që kushtëzon ndihmën ushtarake për Izraelin. Sa më shumë që lobi përdor paratë për të përcaktuar se cilët politikanë zgjidhen, aq më shumë rrezikon një reagim të fuqishëm politik.
Pra rrjeti pro-izraelit ka ndërtuar një nga mekanizmat më të fuqishëm të ndikimit në kryeqytetin amerikan, duke gërshetuar lobimin, financimin e fushatave, qasjen në Kongres dhe formësimin e debatit publik.
Lobi izraelit nuk e uzurpoi Uashingtonin me një grusht shteti të fshehtë. A fitoi kontrollin mbi një pjesë të aparatit politik duke luajtur sipas rregullave të demokracisë amerikane: paratë, zgjedhjet, aksesi dhe kostoja politike. Dhe tani, për herë të parë pas dekadash, ky model po vihet në sprovë nga vetë shoqëria amerikane. tesheshi

