Presidenti kinez, Xi Jinping i bëri thirrje Partisë Komuniste të Kinës (CPC) dhe njerëzve anembanë vendit të hënën që të vazhdojnë avancimin e socializmit me karakteristika kineze ndërsa kombi përkujtoi 100-vjetorin e lindjes së liderit të ndjerë, Jiang Zemin, transmeton Anadolu.
Xi, i cili është gjithashtu sekretar i përgjithshëm i Komitetit Qendror të CPC dhe kryetar i Komisionit Qendror Ushtarak, i bëri komentet në një mbledhje në Sallën e Madhe të Popullit në Pekin, sipas Global Times.
Veprimtaria përkujtoi Jiang, i cili shërbeu si sekretar i përgjithshëm i Komitetit Qendror të CPC nga 1989 deri në 2002 dhe si president i Kinës nga 1993 deri në 2003.
Xi i kërkoi partisë dhe popullit kinez të të gjitha grupeve etnike që të frymëzohen nga jeta dhe puna e Jiang dhe të vazhdojnë të avancojnë zhvillimin socialist të vendit.
Jiang lindi më 17 gusht 1926 në Yangzhou në provincën Jiangsu të Kinës lindore dhe vdiq në Shangai më 30 nëntor 2022 në moshën 96-vjeçare.
Ai udhëhoqi Kinën gjatë një periudhe të zgjerimit të shpejtë ekonomik dhe integrimit më të thellë në ekonominë globale, duke përfshirë pranimin e vendit në Organizatën Botërore të Tregtisë në 2001.

