U paralajmërua disa herë mbi rreziqet, por i shpërfilli ato
Një ngjarje e rëndë dhe frut i papërgjegjshmërisë ekstreme ka tronditur ishullin e Kretës, ku një turist izraelit 35-vjeçar është vënë në pranga në fundjavë, pasi dyshohet se ka ndezur një skarë në oborrin e një vile me qira, duke shkaktuar një zjarr pyjor masiv .
Sipas medias greke, indiferenca e skajshme dhe arroganca e këtij individi ndaj rregullave dhe sigurisë publike kanë vënë në rrezik jetën e banorëve dhe pasurinë e një rajoni të tërë.
Sipas raportimeve të mediave vendase dhe hetimeve paraprake të Shërbimit Zjarrfikës, ngjarja ka ndodhur të premten në orën 19:11, pranë fshatit Sellia, afër zonës turistike të Plakias në komunën Agios Vasileios.
Pronari i vilës kishte qenë mëse i qartë, duke u tërhequr vërejtjen mysafirëve që në momentin e mbërritjes se, për shkak të rrezikut të lartë të zjarrvënies dhe erërave të forta, përdorimi i skarës ishte rreptësisht i ndaluar.
Madje këto udhëzime u ishin dhënë atyre edhe me shkrim. Por pavarësisht rrezikut të dukshëm dhe paralajmërimeve të qarta, turisti dhe grupi i tij vendosën t’i shpërfillnin rregullat dhe shkëndijat nga skara, të ndihmuara nga erërat e forta, ranë mbi barishtet e tharra aty rrotull dhe përhapën flakët me shpejtësi të frikshme në zonën përreth.
Ky akt i papërgjegjshëm vuri në lëvizje qindra forca të emergjencës, ku mbi 60 zjarrfikës, tre njësi speciale për zjarret pyjore, dhjetëra automjete, helikopterë zjarrfikës, cisterna uji dhe vullnetarë u mobilizuan në terren.
Ndërsa përmes sistemit kombëtar të emergjencës “112” u dha alarmi dhe u urdhërua evakuimi parandalues i banorëve dhe turistëve në komunitetet e Fotinari-t dhe Souda-s, duke bërë që zjarrfikësit ta vinin situatën nën kontroll pas rreth katër orësh.
Ky incident ndodh në një periudhë tejet të ndjeshme për Greqinë, e cila po përballet me një sezon katastrofik zjarresh, pasi vetëm dy javë më parë i njëjti rajon i Rethymno-s u shkrumbua nga një ndër zjarret më të rënda të verës.
Në atë rast u dogjën rreth 45.000 dynymë tokë brenda dy ditësh, mbi 8.000 banorë dhe turistë u detyruan të evakuohen urgjentisht, dhe dy zjarrfikës humbën jetën në detyrë duke u përballur me flakë të fuqizuara nga erërat që arrinin deri në 100 kilometra në orë.
Duke u përballur me pasojat e rënda të këtyre tragjedive, autoritetet greke kanë vendosur një politikë të tolerancës zero ndaj çdo shkeljeje të rregullave të parandalimit të zjarreve, ku në ditët me rrezik të lartë ndezja e skarave, djegia e mbetjeve bimore apo çdo aktivitet që prodhon shkëndija është rreptësisht i paligjshëm dhe ndëshkohet me gjoba marramendëse dhe ndjekje penale.
Turisti 35-vjeçar pritet përballet me pasojat e rënda ligjore të veprimit të tij krejtësisht të papërgjegjshëm dhe arrogant. tesheshi

