Komisioni Evropian i bëri thirrje të martën Izraelit të zbatojë ligjin ndërkombëtar pas vërejtjeve të ministrit izraelit të Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, i cili mbështet vrasjen e dhjetëra palestinezëve në Gaza çdo natë, transmeton Anadolu.
“BE-ja pret që Izraeli të zbatojë të gjitha detyrimet e tij sipas ligjit ndërkombëtar, përfshirë ligjin ndërkombëtar humanitar”, tha zëdhënësja Anitta Hipper gjatë konferencës për shtyp të Komisionit Evropian në Bruksel.
Ajo vuri në dukje se mbrojtja e civilëve duhet të sigurohet në çdo kohë.
“Do të doja gjithashtu të kujtoja se aktualisht kemi një propozim në Këshill për të përfshirë Ben-Gvir në listën e sanksioneve sipas regjimit global të sanksioneve për të drejtat e njeriut”, shtoi Hipper.
Ben-Gvir kohët e fundit bëri thirrje për sulme ajrore të shtuara në Rripin e Gazës dhe që Izraeli të vrasë “30 deri në 40” palestinezë në ditë, ndërsa rinovoi thirrjet për të rivendosur izraelitët në enklavën palestineze në kurriz të popullsisë vendase.

