Tre anije do nisen nesër nga Brindizi drejt Sazanit në një mision solidariteti me protestat
Global Sumud Flotilla do të ketë një mision të ri më 20 gusht. Tre anije do të nisen nga porti i Brindizit me destinacion ishullin shqiptar të Sazanit, për t’iu bashkuar mobilizimit qytetar kundër projekteve të mëdha turistike në jug të Shqipërisë.
Nisma zhvillohet në bashkëpunim me kolektivët italo-shqiptarë Mesdhe dhe Palestina e Lire dhe vjen rreth dy muaj pas nisjes së protestave që në Shqipëri janë pagëzuar si “Revolucioni i Flamingove”.
Zgjedhja e Brindizit dhe e datës 20 gusht ka edhe një kuptim simbolik. Organizatorët e kanë lidhur nisjen me përvjetorin e mbërritjes në Bari të anijes Vlora, e cila në vitin 1991 transportoi në Itali më shumë se 20 mijë shqiptarë që po largoheshin nga kriza dhe kolapsi i regjimit komunist.
Sipas organizatorëve, në bordet e flotiljes, do të jenë edhe fëmijët e disa prej personave që kryen atë udhëtim. Ideja është të përmbyset simbolikisht drejtimi i asaj lëvizjeje historike.
Atëherë shqiptarët shkuan drejt Italisë në kërkim të një jete më të mirë, ndërsa këtë herë pasardhësit e tyre do të kthehen drejt Shqipërisë për të shprehur solidaritet me një tjetër lëvizje qytetare.
Për Global Sumud Flotilla-n, rrjet ndërkombëtar i krijuar fillimisht rreth përpjekjeve për të kundërshtuar bllokadën izraelite ndaj Gazës, misioni në Shqipëri përfaqëson një zgjerim të fushave ku angazhohet.
Organizatorët e paraqesin atë si një lidhje mes çështjeve palestineze, mbrojtjes së mjedisit dhe të drejtave të migrantëve në Mesdhe.
Sipas njoftimit të tyre, anijet që do të përdoren në këtë udhëtim janë disa prej mjeteve të rikuperuara pasi ishin dëmtuar gjatë misioneve të mëparshme drejt Gazës.
Në deklaratën për nisjen drejt Sazanit, organizatorët e lidhin drejtpërdrejt projektin turistik të ishullit me emrin e Jared Kushner, dhëndrit të presidentit amerikan Donald Trump dhe themeluesit të kompanisë Affinity Partners, e cila ka propozuar zhvillimin e një resorti luksoz në Sazan.
Për aktivistët e Flotillës, rasti i Sazanit duhet parë në një kontekst më të gjerë. Ata e lidhin projektin shqiptar me idetë e zhvillimit turistik, që sipas tyre janë shfaqur edhe në diskutimet për rindërtimin e Gazës.
Në deklaratën e tyre, organizatorët flasin për një model zhvillimi që e konsiderojnë si “kolonializëm të maskuar si turizëm”. Kjo është një nga arsyet kryesore përse ata kanë vendosur ta lidhin protestën shqiptare me kauzat e tyre ndërkombëtare.
Programi i 20 gushtit në Brindizi do të nisë në mëngjes me mbërritjen e tre anijeve pranë shkallëve Virgilio, në qendër të qytetit. Në orën 11:00 pritet të zhvillohet një konferencë për shtyp me përfaqësues të Global Sumud Flotilla-s dhe organizatave që kanë mbështetur nismën.
Në mbrëmje, në lungomaren Regina Margherita, është planifikuar një aktivitet publik me fjalime dhe muzikë. Më pas, rreth mesnatës, tre anijet pritet të nisen drejt Shqipërisë.
Destinacioni i tyre do të jetë Sazani, ishulli që prej javësh është kthyer në një nga pikat kryesore të debatit mbi të ardhmen e bregdetit shqiptar.
Protestat kundër projektit të resortit kanë bashkuar aktivistë mjedisorë, qytetarë dhe grupe të ndryshme të shoqërisë civile.
Me këtë udhëtim, Global Sumud Flotilla synon ta çojë debatin përtej kufijve të Shqipërisë dhe ta vendosë çështjen e Sazanit në një kornizë më të gjerë ndërkombëtare, duke e paraqitur atë si pjesë të një konflikti më të madh mbi modelin e zhvillimit turistik, mbrojtjen e territoreve dhe të drejtat e komuniteteve lokale. tesheshi

