Ministria e Punëve të Jashtme e Turqisë ka deklaruar se kuadri i ri i shpallur nga Greqia për planifikimin hapësinor të energjisë së rinovueshme, që përfshin Detin Egje, nuk do të ketë pasoja juridike për Turqinë lidhur me mosmarrëveshjet e ndërlidhura mes dy vendeve, transmeton Anadolu.
Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Oncu Keceli, tha se kuadri, ashtu si nismat e ngjashme greke, nuk do të ketë efekt juridik ndaj Turqisë, përfshirë edhe sa i përket formacioneve gjeografike sovraniteti mbi të cilat nuk i është transferuar Greqisë përmes traktateve ndërkombëtare.
“Siç kemi theksuar në raste të ndryshme në të kaluarën, kjo dhe nisma të ngjashme nuk do të ndikojnë në qëndrimin juridik të Turqisë lidhur me çështjet e Egjeut”, tha Keceli në platformën sociale amerikane X.
Keceli theksoi se duhet të shmangen veprimet e njëanshme në dete të mbyllura ose gjysmë të mbyllura, si Egjeu dhe Mesdheu, duke shtuar se e drejta ndërkombëtare detare inkurajon bashkëpunimin mes shteteve bregdetare në ujëra të tilla.
Ai përsëriti se Turqia, si një nga dy shtetet bregdetare të Detit Egje, mbetet e gatshme të bashkëpunojë me Greqinë.
“Brenda kuadrit të Deklaratës së Athinës për ‘Marrëdhëniet e Fqinjësisë së Mirë’ të 7 dhjetorit të vitit 2023, Turqia ruan qëndrimin se duhet të miratohet një qasje e sinqertë dhe gjithëpërfshirëse për zgjidhjen e problemeve mbi bazën e së drejtës ndërkombëtare, barazisë dhe fqinjësisë së mirë”, tha Keceli.

