Irlanda shprehu keqardhje “të thellë” për sanksionet amerikane ndaj kryetares së Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP), si dhe një avokati të lartë në zyrën e prokurorit, transmeton Anadolu.
“Irlanda shpreh keqardhje të thellë për sanksionet e fundit amerikane ndaj kryetares së GJNP-së, (Tomoko) Akane, dhe avokatit të lartë në proceset gjyqësore (Abdoulaye Seye)”, ka shkruar Ministria e Jashtme irlandeze në platformën sociale amerikane X.
Ajo tha se përshkallëzimi i masave ndaj GJNP-së “vetëm sa dëmton” viktimat më të cenueshme që kërkojnë drejtësi.
“Irlanda qëndron në krah të GJNP-së dhe mbetet e përkushtuar për mbrojtjen e pavarësisë së Gjykatës”, shtoi ministria.
Masat janë pjesë e sanksioneve ndaj GJNP-së të vendosura nga presidenti amerikan Donald Trump në shkurt 2025.
Të mërkurën, GJNP-ja i hodhi poshtë fuqishëm sanksionet e reja, duke i cilësuar ato si “sulme flagrante” ndaj pavarësisë së gjyqësorit.
Gjykata shtoi se nëntë nga 18 gjyqtarët e saj, të dy zëvendësprokurorët, një ish-prokuror dhe një anëtar i stafit janë tashmë nën sanksione amerikane.
Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, shprehën gjithashtu solidaritet me gjykatën të mërkurën, duke thënë se qëndrojnë fuqishëm në krah të GJNP-së, Akane dhe zyrtarëve të gjykatës.
“GJNP-ja ndihmon në sjelljen e drejtësisë për viktimat e disa prej krimeve më të tmerrshme në botë. Për ta kryer këtë punë thelbësore, gjyqtarët dhe zyrtarët e saj duhet të jenë në gjendje të veprojnë në mënyrë të pavarur dhe pa presion të jashtëm”, shkruan ata në X.

