RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Paradoksi: pse Shqipëria është për turp në turizmin dimëror?!

paradoksi:-pse-shqiperia-eshte-per-turp-ne-turizmin-dimeror?!

Male plot, borë gjithashtu, por askush nuk investon aty. Të gjithë “mbyten” në det!

Ngjan vërtet me një paradoks fakti që teksa qeveria e ka shndërruar në mit ekonomik turizmin, që gjithsesi “prodhon” vetëm kamarierë e jo inxhinierë, ai dimëror pothuajse nuk ekziston fare. Kur ëshë fjala për skijim, fqinjët e bëjnë me turp Shqipërinë. Përjashto ndonjë një pistë të rëndomtë në Dardhë a Voskopojë, që gjithsesi nuk janë shndërruar në preferenca masive të shqiptarëve, malet shqiptare janë pothuajse të vdekura për turizëm skijimi. Madje edhe narrativa e çjerrë e qeverisë mbi turizmin nuk i ka as teorikisht pjesë të saj. Pse?

Është analisti Adri Nurellari që e trajton këtë paradoks në një status të tij ku shkruan:

“Një nga shtetet me lartësinë mesatare më të madhe mbi nivelin e detit në Evropë; dhe ende pa një resort të mirëfilltë malor skish. Për ta kuptuar sa seriozisht dështon kjo qeveri në turizëm, mjafton të shohësh mungesën pothuajse totale të investimeve në infrastrukturën e turizmit dimëror. Shqipëria ka një lartësi mesatare prej rreth 708 metrash (dyfishi i mesatares evropiane) dhe rreth 70% të territorit malor, por vazhdon ta trajtojë turizmin thuajse vetëm si det dhe plazh.

Potenciali për ski dhe turizëm malor ekziston nga Alpet e Veriut, te Gramozi, Ostrovica, Valamara e Mali i Thatë në juglindje, e deri te Korabi, Jabllanica e Shebeniku në lindje. Vetë qeveria premtonte që në vitin 2021 “resortin e parë të skive” në Nikolicë rrëzë Gramozit; pesë vjet më vonë, Shqipëria ende nuk ka një destinacion skish të krahasueshëm me ato të vendeve fqinje. Ndërkohë, skiatorët shqiptarë detyrohen të shkojnë në vendet fqinje për të ushtruar sportin e tyre dhe për të shpenzuar atje, sepse vendi i tyre, megjithëse ndër më malorët e Evropës, ende nuk u ofron një infrastrukturë të mirëfilltë skijimi.

Shpesh mungesa e turizmit dimëror në Shqipëri justifikohet sikur të ishte thjesht çështje klime dhe mungese bore. Por ky argument bie poshtë kur sheh se pista skijimi ka në Qipro, Izrael, Liban dhe madje edhe në Marok, vende që ndodhen dukshëm më në jug se Shqipëria. Pra, problemin nuk e kemi te klima, bora apo malet, por te mungesa e investimeve, infrastrukturës dhe vizionit për zhvillimin e turizmit dimëror. Një vend malor që di të ndërtojë resorte me apartamente e vila në bregdet, por jo pista skish në male, nuk ka mungesë potenciali por ka mungesë vizioni.

Problemi është se kjo qeveri nuk duket se e ka turizmin si qëllim në vetvete. Retorika për turizmin shpesh shërben për të maskuar një model zhvillimi të mbështetur te mania e ndërtimit: ndërtimi si instrument elektoral, si burim taksash dhe të ardhurash për buxhetin dhe, në raste të dyshuara, si kanal për futjen në ekonominë formale të parave me origjinë nga trafiqet dhe korrupsioni. Po të ishte vërtet turizmi prioritet, investimet publike do të shkonin edhe te infrastruktura që krijon destinacione të reja dhe zgjat sezonin turistik, përfshirë turizmin dimëror. Varësia nga ndërtimi bëhet edhe më e dukshme përballë paaftësisë së qeverisë për të tërhequr në shkallë të mjaftueshme investime serioze të huaja direkte në sektorë prodhues dhe me vlerë të shtuar”.

Related posts

Nafta në Kosovë lirohet në 1.79 cent

admin

Biden mund të vizitojë vitin e ardhshëm Nagasakin e goditur nga bomba atomike

admin

Kushtet e pafavorshme të motit thellojnë dramën e të zhvendosurve në Gaza

Muhamet Ramadani