Gjermania ka kritikuar një sulm ajror izraelit në veriperëndim të Sirisë, duke theksuar se sovraniteti dhe integriteti territorial i Sirisë duhet të respektohen.
“Qeveria gjermane i ka ndjekur me shqetësim raportimet për një sulm ajror ndaj fushës ajrore Abu al-Duhur në veriperëndim të Sirisë”, tha një zyrtar i lartë i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë për Anadolu, kur u pyet për qëndrimin e Berlinit lidhur me sulmin e së martës dhe veprimet e fundit përshkallëzuese të qeverisë izraelite.
“Çdo ndërhyrje ushtarake e huaj nuk kontribuon në stabilizimin e Sirisë apo në paqen në rajon”, theksoi diplomati, duke iu referuar sulmeve ajrore izraelite.
“Një Siri e qëndrueshme kontribuon në stabilitetin e Lindjes së Mesme në tërësi. Sovraniteti dhe integriteti territorial i Sirisë duhet të respektohen nga të gjitha vendet”, shtoi ai.
Gjatë muajve të fundit, Gjermania vazhdimisht ka paralajmëruar kundër përshkallëzimit të mëtejshëm dhe është përpjekur të inkurajojë Izraelin që të ndjekë diplomacinë me Sirinë dhe aktorë të tjerë rajonal për të krijuar marrëveshje të qëndrueshme të sigurisë.
“Me rritjen e tensioneve, marrëveshje të tilla janë më të rëndësishme se kurrë”, thanë burime diplomatike, duke shtuar se Berlini mbetet në kontakt të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë dhe rajonalë.
Dje, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, pretendoi se Izraeli e kishte paralajmëruar Sirinë përpara sulmit që të mos lejonte një prani turke në bazën ajrore.
Ministri sirian i Punëve të Jashtme, Asaad al-Shaibani, hodhi poshtë këtë arsyetim, duke deklaruar se Damasku e kishte informuar Izraelin se nuk kishte plane për një bazë turke apo prani të përhershme ushtarake në këtë lokacion.
Ministria e Mbrojtjes Kombëtare e Turqisë tha se asnjë delegacion ushtarak turk nuk ndodhej në bazën ajrore para ose gjatë sulmit, si dhe e cilësoi sulmin si një shkelje të papranueshme të sovranitetit sirian. Ankaraja përsëriti mbështetjen e saj për përpjekjet e Sirisë për rindërtimin e infrastrukturës dhe forcimin e kapaciteteve të saj ushtarake.
Drejtori i Komunikimeve të Presidencës së Turqisë, Burhanettin Duran, kritikoi ashpër Netanyahun, duke theksuar se veprimet e fundit përshkallëzuese të liderit izraelit nxiten nga kalkulimet e politikës së brendshme dhe zgjedhjet e ardhshme. Duran tha se kritikat ndërkombëtare ndaj politikave izraelite po shtohen dhe se Netanyahu po izolohet gjithnjë e më shumë, si dhe theksoi se ai duket se e konsideron armiqësinë ndaj Turqisë si një rrugëdalje politike në kushtet e konkurrencës me partitë e tjera të linjës së ashpër.

