Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka rikonfirmuar mbështetjen e aleancës për Bullgarinë dhe gatishmërinë për t’iu përgjigjur çdo kërcënimi ndaj vendeve anëtare të NATO-s, gjatë një bisede telefonike me kryeministrin bullgar, Rumen Radev, transmeton Anadolu.
Sipas një Këshillit të Ministrave të Bullgarisë, raporton agjencia shtetërore bullgare të lajmeve BTA, Radev dhe Rutte diskutuan situatën e sigurisë në Evropë, duke u përqendruar te rreziku i mundshëm i veprimeve agresive nga Irani.
Rutte konfirmoi mbështetjen e plotë të NATO-s dhe gatishmërinë e forcave dhe kapaciteteve mbrojtëse të aleancës në rajon për t’iu përgjigjur dhe neutralizuar çdo kërcënim ndaj vendeve anëtare të NATO-s.
Ai gjithashtu iu referua kapjes së suksesshme së fundmi të raketave balistike që po drejtoheshin drejt Turqisë, si dëshmi e gatishmërisë së NATO-s për të ofruar mbrojtje.
Sipas njoftimit, çdo sulm ndaj një vendi anëtar të NATO-s do të trajtohet si sulm ndaj të gjithë aleancës, ndërsa do të pasojnë masat e parashikuara në Traktatin e Atlantikut të Veriut.
Biseda u zhvillua pas një raportimi të Financial Times, sipas të cilit forcat iraniane kishin shqyrtuar mundësinë e goditjes së objekteve ushtarake amerikane në Bullgari, bazuar në informacionet e dy personave pranë regjimit iranian.
Autoritetet bullgare thuhet se kanë rritur masat e sigurisë në bazën ajrore Bezmer, e cila ishte miratuar për përdorim nga avionët amerikanë të furnizimit me karburant. Megjithatë, autoritetet thanë se nuk kishte kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj sigurisë kombëtare.

