Ministria e Mbrojtjes e Letonisë ka bërë të ditur se dy avionë luftarakë turq F-16 kanë zbarkuar në Bazën Ushtarake Lielvarde të Letonisë në kuadër të misionit të NATO-s për patrullimin ajror të Baltikut, transmeton Anadolu.
Ministria letoneze tha se avionët fluturuan drejt Letonisë nga Baza Ajrore Amari në Estoninë fqinje, ku një kontingjent turk po mbështet misionin e NATO-s për mbrojtjen e hapësirës ajrore të shteteve baltike.
Ministri letonez i Mbrojtjes, Raivis Melnis, ambasadori i Turqisë në Letoni, Ahmet Cemil Miroglu dhe zyrtarë të lartë ushtarakë letonezë morën pjesë në një aktivitet me rastin e mbërritjes së avionëve.
Melnis tha se prania e avionëve luftarakë turq në Letoni dëshmon gatishmërinë e NATO-s për të mbrojtur hapësirën ajrore të aleatëve dhe për t’iu përgjigjur kërcënimeve të mundshme.
“Prania e forcave aleate forcon sigurinë e Letonisë dhe të gjithë krahut lindor të NATO-s, ndërsa dërgon një mesazh të qartë për unitetin e Aleancës dhe fuqinë e mbrojtjes sonë kolektive”, tha ai.
Ministria tha se Italia mori përgjegjësinë për rotacionin më të fundit të misionit të NATO-s për patrullimin ajror të Baltikut në Bazën Ajrore Siauliai në Lituani më 31 korrik, duke zëvendësuar kontingjentet franceze dhe rumune.
Rotacioni i udhëhequr nga Italia po mbështetet nga kontingjenti turk që operon nga Baza Ajrore Amari në Estoni.
Tre shtetet baltike, Lituania, Letonia dhe Estonia, të gjitha ish-republika sovjetike, kanë së bashku një popullsi prej pak më shumë se 6 milionë banorësh.
Të tre vendet iu bashkuan NATO-s në vitin 2004.

