Siria ka paralajmëruar se sulmet e vazhdueshme izraelite në territorin e saj do të rrisin tensionet dhe destabilitetin në rajon dhe do të kërcënojnë sigurinë e civilëve, duke i bërë thirrje Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe komunitetit ndërkombëtar të ndërmarrin masa për ndalimin e sulmeve izraelite, transmeton Anadolu.
Ministria e Punëve të Jashtme e Sirisë dënoi ashpër një sulm izraelit me dron ndaj një automjeti civil në qytezën Beit Jinn, në zonën rurale në perëndim të Damaskut, ku u plagosën disa persona.
“Ky sulm përbën një shkelje flagrante të sovranitetit dhe integritetit territorial të Sirisë, si dhe një shkelje të hapur të së drejtës ndërkombëtare”, tha ministria.
Ajo shtoi se sulmi ishte i fundit në një seri sulmesh të përsëritura izraelite ndaj territorit sirian dhe e konsideroi Izraelin “plotësisht përgjegjës” për pasojat e këtyre sulmeve. Ministria paralajmëroi se vazhdimi i sulmeve do të shtojë tensionet dhe destabilitetin në rajon dhe do të kërcënojë sigurinë e civilëve.
Ministria i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar dhe Këshillit të Sigurimit “të marrin përsipër përgjegjësitë e tyre ligjore dhe politike, të punojnë për ndalimin e këtyre sulmeve dhe t’u japin fund shkeljeve të përsëritura të sovranitetit sirian nga Izraeli”.
Agjencia e lajmeve SANA kishte raportuar më herët se një person ishte plagosur në sulm, pa dhënë hollësi për gjendjen e tij. Ushtria izraelite, nga ana e saj, pretendoi se personi i shënjestruar përbënte “një kërcënim të menjëhershëm” për forcat e saj që vepronin në zonë.
Sipas SANA-s, sulmi ndodhi disa ditë pasi avionët luftarakë izraelitë kryen tetë sulme ajrore ndaj pistës së bazës ajrore Abu al-Duhur në provincën Idlib, në veriperëndim të Sirisë, duke shkaktuar dëme materiale në infrastrukturën e saj.
Izraeli ka pushtuar pjesën më të madhe të Lartësive të Golanit të Sirisë që nga viti 1967. Pas rënies së regjimit të Bashar al-Assadit në fund të vitit 2024, Izraeli deklaroi se marrëveshja e vitit 1974 për shkëputjen e forcave kishte rënë dhe hyri në zonën tampon të demilitarizuar dhe në zona të tjera, përfshirë anën siriane të Malit Hermon (Jabal al-Sheikh).
Që atëherë, Izraeli ka zgjeruar sulmet në të gjithë Sirinë, duke shënjestruar depot e armëve dhe raketave, si dhe objektet strategjike ushtarake.

