Një delegacion i lartë sirian, i kryesuar nga ministri i Jashtëm Asaad Hassan al-Shaibani dhe i përbërë edhe nga drejtuesit e shërbimeve të inteligjencës së përgjithshme dhe inteligjencës ushtarake, zhvilloi të dielën një takim me një delegacion të lartë izraelit.
Takimi u zhvillua nën ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara dhe u prit nga Jordania, bëri të ditur për agjencinë SANA një burim diplomatik në Ministrinë siriane të Punëve të Jashtme dhe Emigrantëve.
Takimi u mbajt pas sulmeve të fundit izraelite ndaj territorit sirian dhe rritjes së tensioneve në jug të Sirisë, me synimin për uljen e përshkallëzimit dhe mbështetjen e stabilitetit në Siri dhe në rajon.
Sipas burimit, diskutimet u përqendruan në krijimin e mekanizmave praktikë për ndalimin e sulmeve, arrestimeve dhe operacioneve izraelite në Siri, si dhe në rifillimin e negociatave për arritjen e një marrëveshjeje të sigurisë që mund të shërbejë si bazë për një marrëveshje më gjithëpërfshirëse në të ardhmen.
Pala siriane theksoi se Siria është një shtet sovran dhe ka të drejtë të plotë të rindërtojë dhe zhvillojë ushtrinë e saj kombëtare, si dhe të përcaktojë aleancat dhe partneritetet në përputhje me interesat e saj kombëtare.
Siria përsëriti gjithashtu qëndrimin se Lartësitë e Golanit të pushtuara janë territor sirian, ndërsa vlerësoi se diskutimi për statusin përfundimtar të tyre është ende i parakohshëm.
Sipas Damaskut, përparësi e menjëhershme është tërheqja e forcave izraelite në vijat që mbanin para 8 dhjetorit 2024 dhe riaktivizimi dhe zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Shkëputjes së Forcave të vitit 1974.
Në takim u diskutua edhe mbështetja për stabilitetin e Sirisë dhe sigurinë rajonale, përfshirë përpjekjet për të kapërcyer dallimet mes Turqisë dhe Izraelit dhe për të parandaluar përhapjen e tensioneve mes dy vendeve në territorin sirian.
Sipas burimit diplomatik, bisedimet u përqendruan në hapa konkretë për uljen e tensioneve dhe mundësinë e rikthimit në negociata, ndërsa Siria këmbënguli që çdo marrëveshje sigurie duhet të respektojë sovranitetin, integritetin territorial dhe të drejtat sovrane të vendit. /mesazhi

