Në Gjykatën Themelore Penale të Shkupit në Maqedoninë e Veriut filloi gjyqi ndaj ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi dhe shtatë personave të tjerë për keqpërdorime në SHA “Lotaria Shtetërore”, raporton Anadolu.
Procesin gjyqësor e drejton gjyqtarja Biljana Shuplinovska-Jovevski, ndërsa aktakuzën e përfaqësojnë prokurorët publikë Daniel Kocev dhe Aleksandar Davçevski. Prokurorët njoftuan se do të paraqesin 231 prova materiale, ekspertiza dhe dëshmi të shtatë dëshmitarëve.
Prokuroria Themelore Publike e Shkupit më 13 gusht të këtij viti paraqiti propozimakuzë kundër Grubit dhe shtatë personave të tjerë, të cilët gjatë viteve 2023 dhe 2024, sipas akuzës, ndërmorën së bashku veprime me të cilat tejkaluan kompetencat dhe detyrat e tyre, me qëllim që t’i shkaktonin dëm “Lotarisë Shtetërore të Republikës së Maqedonisë së Veriut” në vlerë prej 507.632.173 denarësh (rreth 8 milionë euro).
Të gjithë të akuzuarit ngarkohen me veprën penale të keqpërdorimit të pozitës dhe autorizimeve zyrtare, për të cilën parashihet dënim me burgim deri në pesë vjet.
I akuzuari i parë, ish-drejtori i “Lotarisë Shtetërore”, Përparim Bajrami, është i paarritshëm për organet e ndjekjes dhe ndodhet në arrati.
Për të akuzuarin e dytë, Artan Grubi, është propozuar vazhdimi i masës së mëparshme të arrestit shtëpiak, së bashku me masat e sigurisë.
Grubi u privua nga liria në pikën kufitare Bllacë mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës në shkurt të këtij viti, ndërsa më pas iu caktua masa e arrestit shtëpiak.
Ai kërkohej me fletarrestim ndërkombëtar që nga dhjetori i vitit 2024.

