Agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA) i bëri thirrje të martën komunitetit ndërkombëtar të veprojë “menjëherë dhe me vendosmëri” për të mbrojtur Qendrën e Trajnimit Kalandia në veri të Kudsit, pasi forcat izraelite të sigurisë bastisën objektin, transmeton Anadolu.
“Sot, rreth orës 10:00, Forcat Izraelite të Sigurisë hynë me forcë” në qendrën në Kudsin Lindor të pushtuar, tha UNRWA në një deklaratë.
Ajo shtoi se në ambientet e qendrës hynë të paktën katër automjete të blinduara, të shoqëruara nga më shumë se 50 pjesëtarë të forcave izraelite të sigurisë.
Rreth 20 punonjës të UNRWA-së ndodheshin në objekt në momentin e incidentit, bëri të ditur agjencia.
“Hyrja e forcave të armatosura të sigurisë në një objekt të Kombeve të Bashkuara, pa autorizimin ose pëlqimin e Kombeve të Bashkuara, është e papranueshme”, shtoi ajo.
Më herët të martën, ushtria izraelite kreu bastisje në fshatin Kafr Aqab dhe kampin e refugjatëve Kalandia, në veri të Kudsit, duke i detyruar punonjësit e agjencisë të largoheshin nga qendra e trajnimit.
Forcat izraelite lëshuan gjithashtu urdhra për prishjen e disa strukturave palestineze në zonë.

