Izraeli dëboi të martën përfaqësuesit holandezë nga një qendër koordinimi për Gazën, pas vendimit të Holandës për të ndaluar importet nga vendbanimet e paligjshme izraelite në territoret e pushtuara, tha ministri i Jashtëm izraelit, transmeton Anadolu.
“Përfaqësuesit e Holandës do të dëbohen menjëherë nga Qendra Ndërkombëtare e Mbështetjes për Gazën në Kiryat Gat”, tha Gideon Saar në një postim në platformën sociale amerikane X.
Saar tha se vendimi u mor me kërkesë të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu pas asaj që ai e përshkroi si “një sërë masash anti Izraelit të ndërmarra nga qeveria holandeze”.
Ai tha se masa e fundit ishte “miratimi i një ligji që ndalon tregtinë me produkte izraelite nga Judea dhe Samaria (Bregu Perëndimor), Kudsi Lindor dhe Lartësitë e Golanit, i cili do të hyjë në fuqi muajin e ardhshëm”.
Qendra e koordinimit e udhëhequr nga SHBA-ja në Kiryat Gat, e njohur zyrtarisht si Qendra e Koordinimit Civilo-Ushtarak, u krijua nga Komanda Qendrore e SHBA-së për të mbikëqyrur zbatimin e marrëveshjes së armëpushimit në Gaza dhe për të monitoruar zbatimin e planit amerikan të paqes.
Saar tha se Ambasada e Holandës në Izrael dhe “miqtë tanë amerikanë” u njoftuan për vendimin të martën në mbrëmje.
“Përfaqësuesve holandezë u është udhëzuar të largohen nga Izraeli brenda një jave”, shtoi ai.
“Politika anti Izraelit e qeverisë holandeze është shoqëruar me një valë të paprecedentë antisemitizmi dhe bojkote në Holandë”, pretendoi Saar.
“Mesazhi ynë është i qartë: Ata që veprojnë kundër Izraelit nuk do të kenë vend në rajon. Izraeli nuk do të lejojë ndërmarrjen e masave kundër tij pa një përgjigje”, shtoi ai.
Autoritetet holandeze nuk e komentuar menjëherë vendimin.
Qeveria holandeze vendosi në fund të korrikut 2026 të ndalojë importin, blerjen dhe shitjen e produkteve me origjinë nga vendbanimet e paligjshme izraelite në territoret palestineze të pushtuara, ndërsa masa pritet të hyjë në fuqi më 22 shtator 2026.
Më 31 korrik 2026, Bordi i Paqes publikoi një dokument me titull “Udhërrëfyes për përfundimin e zbatimit të planit gjithëpërfshirës të paqes së presidentit Trump në Gaza”, i cili parashikon një tërheqje graduale të Izraelit, paralelisht me hapa për çarmatimin e Hamasit.
Sipas dokumentit, udhërrëfyesi parashikon gjithashtu transferimin e administrimit të Gazës te një komitet palestinez teknokratësh dhe dislokimin e një force ndërkombëtare të stabilizimit.
Ai parashikon gjithashtu vendosjen e armëve nën autoritetin e një komiteti kombëtar që mbikëqyr territorin nën mbikëqyrje ndërkombëtare, krahas përpjekjeve për rindërtim.
Qendra e Koordinimit Civilo-Ushtarak u krijua në Kiryat Gat, në jug të Izraelit, me pjesëmarrjen e 40 vendeve dhe organizatave, për të monitoruar armëpushimin në Gaza, për të lehtësuar dërgimin e ndihmave dhe për të planifikuar fazën pas luftës.
Izraeli ka kryer një gjenocid në Gaza që nga 8 tetori 2023, duke vrarë më shumë se 73 mijë palestinezë dhe duke plagosur mbi 174 mijë të tjerë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, sipas të dhënave palestineze.

