Qeveria e Singaporit miliarda për të nxitur lindjet, por kostot i shtyjnë familjet të kenë më pak fëmijë
Qeveria e Singaporit ka njoftuar një paketë të re masash për të nxitur familjet të kenë më shumë fëmijë, duke ofruar subvencione të konsiderueshme për ata që tashmë kanë ose planifikojnë të kenë fëmijë.
Është përpjekja e fundit e një serie politikash të ndjekura prej dekadash nga Partia e Veprimit Popullor, e cila qeveris vendin që nga viti 1965.
Problemi është serioz. Në vitin 2025, norma e lindshmërisë në Singapor ishte vetëm 0.87 fëmijë për grua, pothuajse gjysma e nivelit të vitit 2000 dhe shumë poshtë normës 2.1 që konsiderohet e nevojshme për të ruajtur një popullsi të qëndrueshme pa emigracion.
Kryeministri Lawrence Wong njoftoi se familjet do të mund të përfitojnë deri në 70 mijë dollarë singaporianë, rreth 47 mijë euro, gjatë 17 viteve të para të jetës së fëmijës. Paketa përfshin rreth 7 mijë euro në momentin e lindjes dhe një shumë të ngjashme për shpenzimet e arsimit.
Në total, qeveria planifikon të shpenzojë afro 5 miliardë euro gjatë vitit të ardhshëm fiskal. Masat parashikojnë gjithashtu lehtësime për çiftet me fëmijë që duan të blejnë shtëpinë e parë, si dhe më shumë leje prindërore.
Shteti do të mbulojë një pjesë më të madhe të kostove që u krijohen kompanive nga këto leje. Por paratë nuk kanë qenë të mjaftueshme për ta ndryshuar prirjen.
Ashtu si në shumë vende të pasura, njerëzit në Singapor po martohen dhe po bëhen prindër më vonë, ndërsa i kushtojnë më shumë kohë arsimimit, karrierës dhe zhvillimit personal.
Kur vendimi për të pasur fëmijë shtyhet, një rol luan edhe biologjia. Por një problem tjetër është strehimi. Singapori është një qytet-shtet me vetëm rreth 730 kilometra katrorë dhe 6 milionë banorë.
Banesat janë të kufizuara dhe një çift mund të presë katër ose pesë vjet për të gjetur një apartament, duke e shtyrë edhe më tej krijimin e familjes.
Kostot e larta të arsimit dhe kultura e punës me ritme intensive e bëjnë situatën edhe më të vështirë, veçanërisht për gratë.
Ironikisht, dikur Singapori kishte problemin e kundërt. Në vitet 1970, gratë kishin mesatarisht më shumë se 3,3 fëmijë dhe qeveria druhej se popullsia po rritej shumë shpejt.
Në vitin 1972 u vendos një politikë që inkurajonte çiftet të kishin maksimumi dy fëmijë. Ajo u hoq në vitin 1987, por deri atëherë fertiliteti kishte rënë prej vitesh nën nivelin e zëvendësimit.
Që atëherë, qeveritë kanë përdorur bonuse, lehtësi fiskale, leje prindërore dhe subvencione për fekondimin in vitro. Këto masa mund të kenë ngadalësuar rënien, por nuk kanë arritur ta përmbysin atë.
Një sondazh i YouGov tregoi se pothuajse një e treta e singaporianëve të moshës 18-44 vjeç besojnë se asnjë politikë qeveritare nuk do t’i bindte të kishin fëmijë.
Dhe ky nuk është vetëm problemi i Singaporit. Në mbarë botën e pasur, qeveritë po provojnë bonuse dhe subvencione të ngjashme, por rezultatet vazhdojnë të mbeten shumë larg pritshmërive. tesheshi

