Presidenti sirian Ahmad al-Sharaa kreu pagesë me kartelë Visa në Damask, në një hap të ri për përpjekjet e vendit për t’u rilidhur me sistemin financiar global pas viteve të sanksioneve, transmeton Anadolu.
Sharaa ka kryer pagesën elektronike në një restorant në Qytetin e Vjetër të Damaskut, sipas një videoje të publikuar nga Syria TV.
Në transaksion ishte i pranishëm edhe guvernatori i Bankës Qendrore të Sirisë, Safwat Raslan.
Ndërkohë, kompania globale e pagesave digjitale Visa njoftoi se ka testuar me sukses një transaksion real ndërkombëtar me kartelë në Siri, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm drejt mundësimit të përdorimit të kartelave Visa nga vizitorët ndërkombëtarë në vend.
Kompania tha se për realizimin e transaksionit kishte bashkëpunuar me Bankën Qendrore të Sirisë, si dhe me partnerët Fransabank dhe Paymera.
Visa theksoi se kjo arritje mbështet përpjekjet më të gjera për zgjerimin e kapaciteteve të pagesave digjitale dhe forcimin e lidhjes së Sirisë me ekonominë globale digjitale.
Zhvillimi vjen në një kohë kur Siria po përpiqet të rindërtojë ekonominë e saj dhe të rilidhet me tregjet ndërkombëtare pas heqjes së sanksioneve.
Duke folur të mërkurën në ceremoninë e hapjes së Panairit të 63-të Ndërkombëtar të Damaskut, Sharaa tha se Siria ka hyrë në një fazë të re rindërtimi dhe zhvillimi pas heqjes së sanksioneve, duke shprehur shpresën se vendi mund të rimarrë rolin e tij si urë lidhëse mes tregjeve, korridor tregtar dhe qendër ekonomike që lidh Lindjen me Perëndimin.
Departamenti amerikan i Thesarit njoftoi të hënën heqjen e Sirisë nga lista e shteteve sponsorizuese të terrorizmit, duke përmbushur angazhimet e administratës së presidentit Donald Trump për lehtësimin e sanksioneve.
Siria ishte përfshirë në këtë listë që nga viti 1979.

