Papa Leo XIV ka paralajmëruar se njerëzimi rrezikon të bëhet “viktimë e shpikjeve të veta”, ndërsa inteligjenca artificiale po përparon me ritme gjithnjë e më të shpejta, transmeton Anadolu.
Duke folur para anëtarëve të Institutit Ndërkombëtar të Shkencave Administrative, Papa u bëri thirrje studiuesve që të ndihmojnë autoritetet publike të përballen me ndikimin në rritje të teknologjive digjitale në shoqëri, raportoi Vatican News të premten.
“Shpejtësia me të cilën po zhvillohen inovacionet në inteligjencën artificiale”, tha ai, “na shtyn të pyesim nëse në të ardhmen do të jemi në gjendje t’i kontrollojmë këto makina dhe nëse njerëzimi rrezikon të bëhet viktimë e shpikjeve të veta”.
Ai tha se çështja mund të ndikojë në çdo nivel të jetës shoqërore dhe bëri thirrje për vëmendje më të madhe ndaj ruajtjes së rolit të njerëzve në procesin e vendimmarrjes.
“Një nga problemet serioze sot”, paralajmëroi Papa Leo, “është fakti se vendimet që lidhen me jetën njerëzore po u besohen makinave”.
Papa vlerësoi përpjekjet për të riafirmuar “natyrën e pazëvendësueshme të inteligjencës njerëzore përballë këtyre mjeteve teknologjike”.
Ai gjithashtu bëri thirrje për një kornizë etike që do të rregullojë zhvillimin dhe përdorimin e IA-së dhe teknologjive të tjera digjitale.
Papa Leoni tha se këto teknologji po përqendrohen gjithnjë e më shumë në duart e aktorëve të mëdhenj ekonomikë dhe teknologjikë, ndërsa qeveritë po përballen me vështirësi në ushtrimin e mbikëqyrjes efektive.

