RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Kinezërirat nuk e shpëtojnë dot Ramën nga gremisja

kinezerirat-nuk-e-shpetojne-dot-ramen-nga-gremisja

Pushteti po ndërron vazhdimisht ambalazhet, por qytetari po e braktis

Edi Rama duket se ka zbuluar ilaçin e ri për një sëmundje shumë të vjetër të pushtetit: kur njerëzit fillojnë të mos të besojnë më, mos ndrysho politikën por emrin e saj. Kështu, pas 13 vitesh qeverisjeje, na dalin përpara “Prania Besnike”, “Besa”, “Pasqyrë Albania” dhe “Shqipëria Sociale”.

Sikur Shqipërisë t’i kishte munguar deri më sot jo një qeverisje më e mirë, por një fjalor më poetik për të përshkruar të njëjtën mënyrë organizimi politik. Mblidhen ministrat, deputetët dhe drejtuesit politikë, caktohen zona e përgjegjësi dhe shpallet se ka nisur “sezoni i ri”.

Në fakt, është më shumë sezoni i ri i të njëjtit serial. Dhe këtu Mao Ce Duni bëhet një burim i shkëlqyer satire. Tirani komunist kinez kishte parullën e famshme të “Njëqind Luleve”: “Le të çelin njëqind lule, le të konkurrojnë njëqind shkolla mendimi!”.

Në teori, ishte një ftesë për ide të ndryshme dhe kritikë. Në praktikë, hapja zgjati pak dhe shumë prej atyre që e morën seriozisht ftesën për të kritikuar u përballën më pas me pasoja të rënda.

Rama nuk ka nevojë për “Njëqind Lulet”. Ai ka shpikur “Njëqind emrat”. Sa herë një mekanizëm i vjetër humbet shkëlqimin, i vihet një emër i ri dhe hidhet sërish në treg. Një fjalë me ngarkesë emocionale këtu, një platformë atje, një dokument, një konferencë.

Dhe ajo që dje ishte thjesht organizim politik, sot shitet si strategji e re. Mao e dinte fuqinë e sloganeve. Rama, në versionin e tij demokratik dhe shumë më pak dramatik, duket se e ka kuptuar fuqinë e marketingut politik.

Vetëm se këtu vjen pjesa më ironike. Rama shpall “Praninë Besnike” në territor pikërisht kur vetë ai bën çmos për t’u larguar nga territori. Pasditen e djeshme protestuesit kishin paralajmëruar se do të mblidheshin para selisë së PS-së dhe do ta prisnin me vezë.

Mbledhja ishte planifikuar aty. Pastaj adresa ndryshoi. U përfol Pallati i Brigadave. Më pas ndryshoi përsëri dhe përfundoi në Vilën Qeveritare në Sauk. Rruga u mbush me policë dhe në hyrje u ngrit perimeter i gjerë sigurie.

Pra, “Prania Besnike” do të jetë kudo në Shqipëri, përveçse aty ku qytetari mund të jetë realisht i pranishëm përballë pushtetit. Në një tjetër formulë të Mao-s, partia duhej të ecte “nga masat te masat”, të dëgjonte njerëzit, të merrte prej tyre shqetësimet dhe t’ua kthente në politikë.

Rama po ndërton versionin e tij: ministri në territor, deputeti në territor, drejtuesi politik në territor, qytetari në qendër të vëmendjes. Por ekziston një pyetje që mungon në këto skema:

Po sikur masat të mos jenë dakord? Po sikur qytetari të mos dojë të regjistrojë ankesën në “Pasqyrë Albania”, por të dalë në rrugë të protestojë kundër mënyrës së tij të qeverisjes?

Atëherë parullat “nga masat te masat” kthehet në “larg masave, drejt Saukut!”. Kjo është pasqyra më e saktë e gjithë historisë. Rama kërkon që “Pasqyrë Albania” të bëhet ligj. Por pasqyra e vërtetë nuk ka nevojë për ligj.

Ajo është në reagimin e njerëzve, në protestë, në pakënaqësinë që nuk futet në një formular dhe nuk zgjidhet me një afat dyjavor. Edhe ideja maoiste e “revolucionit të përhershëm” ofron një tjetër paralel satirik.

Pushteti duhej të ishte gjithmonë në lëvizje, gjithmonë duke shpallur një fushatë apo një fazë të re. Edhe Rama ka ciklin e vet: mandat i ri, sezon i ri, reformë e re, platformë e re, konferencë e re, emërtim i ri.

Është një lloj “Revolucioni Kulturor me PoëerPoint”. Nuk rrëzohen monumente dhe nuk digjen libra; thjesht ndërrohen titujt e prezantimeve dhe gjithçka shpallet “fazë e re”.

Por realiteti nuk ndryshon nga emri që i vendos. Mund ta quash ankesën “Pasqyrë Albania”, organizimin “Prani Besnike” dhe politikën sociale “Shqipëria Sociale”. Mund të shpikësh edhe njëqind emra të tjerë. Por nuk mund ta quash qytetarin të kënaqur nëse ai nuk është.

Dhe nuk mund ta quash “prani” një pushtet që largohet sapo qytetari afrohet. Pas 13 vitesh, Rama ka gjithnjë e më shumë nevojë të duket sikur po fillon nga e para. Problemi është se shqiptarët nuk duan që ta fillojnë nga e para bashkë me të.

Ata kanë kujtesë, krahasime dhe pakënaqësi. Prandaj kinezërirat nuk e shpëtojnë dot Ramën nga fundosja. Mao kishte “Njëqind Lulet”. Rama ka “Njëqind emrat”. Por kur pushteti fillon të ketë frikë nga qytetari që e pret me vezë, problemi nuk është më se si quhet platforma e radhës.

Problemi është se çfarë po tregon pasqyra. Dhe duket se pikërisht nga ajo pasqyrë Rama po përpiqet të largohet! tesheshi

Related posts

Në pritje të vendimit për 30%, vlera e Trustit bie

admin

Vihet nën kontroll zjarri në Marmaris të Turqisë

admin

Plani i errët izraelit: akti i radhës sionist kundër Xhamisë Al-Aksa…

Muhamet Ramadani