Numri i të vdekurve nga përmbytjet e rrëmbyeshme dhe rrëshqitjet shkatërruese të dheut në Nepal dhe rajonin e Tibetit në Kinë është rritur në 750, ndërsa më shumë se 3.000 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur, sipas shifrave të fundit të publikuara të dielën nga autoritetet dhe mediat lokale, transmeton Anadolu.
Në Nepal, 2.498 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur, përfshirë qindra shtetas të huaj. Ndërkohë, autoritetet kineze kanë raportuar 16 të vdekur dhe 546 persona të zhdukur në Tibet.
Operacionet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë për 2.498 personat që janë ende të zhdukur, përfshirë 933 punëtorë në projekte hidroenergjetike, 589 shtetas të huaj, 127 nepalezë që udhëtonin me turistë të huaj dhe banorë nga disa rrethe të prekura, raportojnë burime lokale.
Gati 20.000 pjesëtarë të forcave të sigurisë kanë shpëtuar 8.186 persona, ndërsa përmes operacioneve me helikopter janë evakuuar në vende të sigurta 279 punëtorë të hidrocentraleve dhe 227 shtetas të huaj.
Operacionet e ndihmës janë në vazhdim, me shpërndarjen e ushqimeve dhe furnizimeve thelbësore, angazhimin e ekipeve mjekësore dhe ndarjen e ndihmës financiare nga qeveria, raportoi Nepal News.
Fatkeqësia goditi të mërkurën rajonin kufitar mes Kinës dhe Nepalit, kur një shembje e papritur akullnajore shkaktoi vërshim të fuqishëm uji dhe mbetjesh nëpër luginat e Himalajeve, duke shkatërruar fshatra dhe duke dëmtuar rëndë infrastrukturën. Shkalla e shkatërrimit ka bërë që familjet të vazhdojnë kërkimet e dëshpëruara për të afërmit e tyre të zhdukur.
Autoritetet po përpiqen të ruajnë provat dhe të gjejnë hapësirë për trupat e viktimave, ndërsa morgjet e spitaleve kanë arritur kapacitetin maksimal dhe mbetjet e gjetura kanë filluar të dekompozohen.
SHBA-ja ka njoftuar të shtunën më shumë se 3,6 milionë dollarë ndihmë humanitare për Nepalin e goditur nga përmbytjet, përfshirë ndihmë urgjente me ushqime për deri në 10.000 familje të prekura.
Zëdhënësi i Policisë së Nepalit, zëvendësinspektori i përgjithshëm Abi Narayan Kafle, i ka thënë gazetës Kathmandu Post se distanca nëpër të cilën trupat janë bartur nga ujërat e përmbytjeve e ka bërë identifikimin veçanërisht të vështirë.
“Shumë nga trupat e gjetur ishin të gjymtuar, të pjesshëm ose të ndarë në pjesë, duke e bërë identifikimin vizual jashtëzakonisht të vështirë”, ka thënë Kafle. “Shumë mbetje kanë qenë të mbuluara nën baltë të trashë dhe ujë për dy deri në tri ditë”, ka deklaruar ai.
Operacionet e kërkim-shpëtimit janë vështirësuar nga terreni i thyer i rajonit, malet e pjerrëta dhe grykat e ngushta. Nepali ka kërkuar ndihmë të specializuar për shpëtimin në tunele, teknologji për zbulimin e të mbijetuarve, analiza forenzike dhe të ADN-së, si dhe pajisje për ruajtjen e trupave të gjetur. Një ekip prej 11 anëtarësh nga India për vlerësimin e operacioneve të shpëtimit në tunele ka mbërritur tashmë për të mbështetur operacionin.
Autoritetet po monitorojnë gjithashtu nga afër një liqen të sapoformuar në Himalaje, i cili kishte ngritur frikën për një tjetër përmbytje. Zyrtarët kinezë kanë thënë se liqeni është zvogëluar ndjeshëm dhe tashmë është “në thelb i zbrazur”, pasi uji i tij është shkarkuar natyrshëm, duke lehtësuar shqetësimet për një vërshim të ri të shpejtë.

