RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Pushtues izraelitë të maskuar sulmojnë një grua palestineze dhe ekipin e NBC News në Bregun Perëndimor të pushtuar

pushtues-izraelite-te-maskuar-sulmojne-nje-grua-palestineze-dhe-ekipin-e-nbc-news-ne-bregun-perendimor-te-pushtuar

Pushtuesit izraelitë të maskuar kanë sulmuar dhe plagosur një grua palestineze dhe tre anëtarë të një ekipi të NBC News në Bregun Perëndimor të pushtuar të shtunën, transmeton Anadolu.

Gazetarët po intervistonin Aida Ahmed Abdullah, 51 vjeçe, dhe familjen e saj në qytetin palestinez Xhalud, pranë Nablusit, kur ndodhi sulmi.

Abdullah i tha ekipit se pushtuesit izraelitë e kishin dëbuar familjen e saj nga shtëpia. Ajo dhe gazetarët po zbrisnin një kodër drejt shtëpisë kur një automjet me targa izraelite u kthye mbrapsht drejt tyre, sipas pamjeve filmike të incidentit.

Të paktën katër persona të maskuar më pas dolën nga automjeti dhe sulmuan Abdullahun dhe gazetarët me shkopinj dhe gurë, raportoi NBC News.

Korrespondenti ndërkombëtar Matt Bradley tha se është goditur dy herë në krah dhe më vonë është trajtuar në një klinikë aty pranë.

“Ata dolën nga makina, na rrahën dhe më pas u futën sërish në makinë”, tha Bradley.

Edhe një kameraman dhe një producent që punonin me Bradley u plagosën dhe morën trajtim pas sulmit.

Abdullah u dërgua për trajtim mjekësor nga Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze. Plagët e saj nuk ishin kërcënuese për jetën, sipas një deklarate të përbashkët të ushtrisë izraelite dhe Policisë Kufitare të Izraelit, të cituar nga NBC News.

Bashkëshorti i saj, Mahmoud Toubasi, tha se gjendja e saj është përmirësuar, por se ajo mbeti e shtruar në spital të shtunën në mbrëmje.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dënoi dhunën, duke i cilësuar përgjegjësit si “një grusht trazimtarë”, sipas NBC News.

Në Bregun Perëndimor të pushtuar është shënuar një përshkallëzim i bastisjeve të ushtrisë izraelite dhe sulmeve të pushtuesve izraelitë ndaj palestinezëve që nga shpërthimi i luftës në Rripin e Gazës në tetor 2023.

Related posts

Escobar: SHBA-ja do t’i njohë rezultatet e zgjedhjeve në veri

Muhamet Ramadani

Përshkallëzimi i konfliktit mes Hezbollahut e Izraelit, Britania e Madhe dërgon 5 milionë paund fonde emergjente në Liban

admin

Në kërkim për shfrytëzim prostitucioni dhe kanosje, ekstradohet drejt Italisë Andrea Ajasllari

admin