RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Gjashtë vatra zjarri aktive dhe tri nën monitorim në Shqipëri, s’rrezikohen zonat e banuara

gjashte-vatra-zjarri-aktive-dhe-tri-nen-monitorim-ne-shqiperi,-s’rrezikohen-zonat-e-banuara

Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë informoi sot se deri në orën 14:00, në territorin e vendit janë raportuar 11 vatra zjarri, nga të cilat 6 mbeten aktive dhe 3 janë nën mbikëqyrje.

Sipas MM-së, vatrat aktive evidentohen në Dajt, Tiranë; Vajkal, Sllatinë, Lundre dhe Ballenjë, qarku Dibër; si dhe Rrilë, qarku Lezhë. Në të gjitha rastet raportohet se nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Situata me angazhimin më të konsiderueshëm paraqitet në Sllatinë, ku operojnë 91 forca, dhe në Vajkal, ku janë angazhuar 38 forca të MZSH-së dhe 30 efektivë të FA-së.

Në Lundre (Mat), për shkak të përhapjes së shpejtë të zjarrit në masivin pyjor të favorizuar nga era, është angazhuar edhe 1 helikopter i Forcës Ajrore.

Në Ballenjë (Martanesh) zjarri është në një zonë të mbrojtur dhe ndërhyrja vështirësohet nga terreni.

Në total, në operacionet për përballimin e situatës janë angazhuar 173 forca operacionale, 16 automjete zjarrfikëse, 50 forca ushtarake dhe 1 helikopter i Forcës Ajrore.

Vatrat në Qafë të Helmës, malin e Dardhës dhe malin e Qukësit vijojnë të mbahen nën mbikëqyrje.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) vijon të ndjekë në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin e vendit, në koordinim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.

Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.

Related posts

Albin Kurti: Shqiptarët në Luginën e Preshevës po përballen me shkelje të të drejtave të njeriut

admin

Miratimi i rezolutës për ‘Srebrenicën’/ Kulla: Bota islame u nda. U hap “Kutia e Pandorës”

admin

Në klinika e spitale po trajtohen 77 pacientë me COVID-19

admin