RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Biografia e Bekim Sejdiut, kandidat për president

biografia-e-bekim-sejdiut,-kandidat-per-president

Bekim Sejdiu është propozuar si kandidati konsensual për president nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

Por kush është personi i propozuar për president, biografia e tij:

Bekim Sejdiu (1974) është gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës.Para emërimit gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese (prill 2015), gjyqtari Sejdiu ka shërbyer si diplomat në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës.

Ai i takon brezit të parë të ambasadorëve të Republikës së Kosovës. Në këtë cilësi, ai ka shërbyer si Ambasador i Republikës së Kosovës në Republikën e Turqisë (2008-2012) dhe Konsull i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Nju-Jork (2012-2014) Para se të caktohej Ambasador, gjyqtari Sejdiu ka shërbyer si këshilltar politik në Kabinetin e ministrit të parë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës. Që nga viti 2002, gjyqtari Sejdiu është profesor (asistent) në Departamentin e të Drejtës Ndërkombëtare të Fakultetit Juridik pranë Universitetit të Prishtinës.

Gjyqtari Sejdiu ka përfunduar studimet juridike në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës (1999). Ai ka përfunduar dy magjistratura: në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, në Universitetin e Bilkentit (2005), dhe në fushën e demokracisë dhe të të drejtave të njeriut, në Universitetin e Sarajevës dhe në Universitetin e Bolonjës (2001).

Gjyqtari Sejdiu ka doktoruar në fushën studimeve ndërkombëtare dhe diplomatike në Fakultetin e Qeverisë dhe të Studimeve Evropiane – Nova Univerza, në Slloveni.Në të gjitha angazhimet e tij publike, gjyqtari Sejdiu ka qenë ngushtë i lidhur me përpjekjet për promovimin e tolerancës shoqërore, sundimit të ligjit, të drejtave të njeriut dhe të barazisë gjinore, duke qenë kësisoj pjesë e grupit themelues dhe njëkohësisht anëtar i Këshillit të Hulumtuesve Profesionalë të Institutit Kosovar për Hulumtime dhe Zhvillime të Politikave – KIPRED (2002-2008).

Në vitet 2000-2002, ka qenë edhe drejtor programi në Fondacionin Kosovar për Shoqëri Civile – FKSHC.

Gjatë veprimtarisë së tij publike, gjyqtari Sejdiu është dekoruar me një numër dekoratash dhe mirënjohjesh, si: Dekoratën e Asamblesë së Shtetit të Nju-Jorkut (SHBA), Çelësin e qytetit Ëorcester (Massachusetts, SHBA) dhe Medaljen nga Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Turqisë.Duke qenë pjesë aktive në mësimdhënie universitare, gjyqtari Sejdiu ka ndjekur vizita studimore në universitete të ndryshme të Evropës dhe të SHBA-së. Ka botuar një numër punimesh akademike në revista të ndryshme shkencore, ndërkombëtare dhe vendore.Gjyqtari Sejdiu është i martuar me Alberie Sejdiu (Rraci), mësuese në shkollën fillore “Hasan Prishtina” në Prishtinë, me të cilën ka tre fëmijë: Melisën, Samirën dhe Jonin.

Related posts

Zelanda e Re forcon rregullat për dhënien e vizave për shkak të emigrimit të paqëndrueshëm, ja kriteret që janë përcaktuar për aplikantët

admin

Çavuşoğlu: Pas tërmeteve, solidariteti ndërkombëtar na jep forcë

Muhamet Ramadani

Kurti vazhdon konsultimet për presidentin, takohet me Abdixhikun në Kuvend

admin