RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Rusia thërret të ngarkuarën me punë të Gjermanisë, Berlini drejt mbylljes së konsullatës ruse në Bon

rusia-therret-te-ngarkuaren-me-pune-te-gjermanise,-berlini-drejt-mbylljes-se-konsullates-ruse-ne-bon

Ministria e Punëve të Jashtme e Rusisë ka thirrur të ngarkuarën me punë të Gjermanisë në Moskë, Beate Finke, për atë që e përshkroi si “veprime dhe deklarata antiruse” nga autoritetet gjermane, transmeton Anadolu.

Ministria tha në një deklaratë se ky veprim pasoi thirrjen e ambasadorit rus në Gjermani, Sergey Nechaev, në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë.

Sipas Ambasadës së Rusisë, autoritetet gjermane kanë paraqitur protestë lidhur me një incident të 5 gushtit, që përfshinte një përpjekje të dyshuar për përdorimin e një droni të ngarkuar me eksploziv në Aeroportin e Leipzigut, duke fajësuar strukturat shtetërore ruse për aktin e planifikuar të sabotimit, pa paraqitur prova për të mbështetur akuzën.

Gjermania gjithashtu ka njoftuar plane për vendosjen e sanksioneve në nivel të Bashkimit Evropian (BE) dhe në mënyrë dypalëshe lidhur me incidentin.

Sipas ambasadës, masat përfshijnë mbylljen e Konsullatës së Përgjithshme të Rusisë në Bon deri më 18 shtator dhe ndërprerjen e një marrëveshjeje ndërqeveritare ruso-gjermane të vitit 2011, që rregullon veprimtarinë e qendrave kulturore dhe informative.

Ambasada tha se masa e fundit do të çonte gjithashtu në mbylljen e Shtëpisë Ruse të Shkencës dhe Kulturës në Berlin, ndërsa punonjësit e konsullatës dhe të Shtëpisë Ruse, së bashku me anëtarët e familjeve të tyre, janë udhëzuar të largohen nga Gjermania, tha ambasada.

Nechaev hodhi poshtë akuzat e Berlinit dhe tha se masat e shpallura nga Gjermania përbëjnë një përshkallëzim të paprecedentë në marrëdhëniet ruso-gjermane.

Ambasadori ka paralajmëruar se masat “nuk do të mbeten pa pasoja”, sipas ambasadës.

Shkëmbimi i fundit diplomatik vjen në kohën e përkeqësimit të marrëdhënieve mes Rusisë dhe Gjermanisë, të tensionuara nga lufta në Ukrainë dhe dallimet lidhur me sigurinë evropiane dhe politikën e sanksioneve.

Related posts

Rusia sinjalizon gatishmëri për bisedime pas thirrjes së presidentit turk për të ringjallur negociatat e Stambollit

admin

Këshilli i BE-së miratoi Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, në vlerë prej 6 miliardë euro

admin

Ministri izraelit i Mbrojtjes: Izraeli nuk do të tërhiqet “asnjë milimetër” nga Gaza

Muhamet Ramadani