Dy palestinezë janë vrarë të mërkurën në mbrëmje nga forcat izraelite dhe kolonët gjatë një bastisjeje në fshatin Al-Mughayyir, në veri të Ramallahut në Bregun Perëndimor të pushtuar, sipas agjencisë palestineze të lajmeve Wafa, transmeton Anadolu.
Shoqata e Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze ka thënë se ekipet e saj kanë trajtuar dy palestinezë të qëlluar me municion të vërtetë, njëri në qafë dhe tjetri në shpinë, gjatë një sulmi nga forcat izraelite dhe kolonët në fshat. Të dy janë dërguar në spital.
Amin Abu Alia, kreu i këshillit të fshatit Al-Mughayyir, ka thën për agjencinë Wafa se dy viktimat, të identifikuara si Omar Mohammed Naassan, 19 vjeç, dhe Khalil Abu Alia, 19 vjeç, janë vrarë në një sulm nga kolonët, të shoqëruar nga forcat izraelite.
Abu Alia ka thënë se forcat izraelite dhe kolonët kanë hyrë në qendër të fshatit, pranë Xhamisë së Madhe, kanë sulmuar dy shtëpi në pronësi të Saleh Suleiman dhe Shehadeh Kaabneh dhe kanë vjedhur dele.
Sipas tij, snajperët e ushtrisë izraelite janë pozicionuar në ndërtesat në qendër të fshatit. Kur banorët kanë tentuar t’u kundërvihen kolonëve teksa po vidhnin delet, snajperët kanë hapur zjarr me municion të vërtetë ndaj palestinezëve, duke plagosur rëndë dy të rinjtë, të cilët më vonë kanë vdekur gjatë transportimit për në spital.
Ushtria izraelite nuk ka bërë menjëherë koment lidhur me raportimin.
Forcat izraelite kanë bastisur fshatin të mërkurën në mbrëmje dhe kanë mbyllur hyrjen kryesore të tij, mes përleshjeve dhe sulmeve ndaj palestinezëve.
Al-Mughayyir është përballur me sulme të përsëritura nga kolonët, të shoqëruar nga forcat izraelite.
Që nga fillimi i gjenocidit të Izraelit në Rripin e Gazës më 8 tetor 2023, ushtria izraelite dhe kolonët kanë intensifikuar sulmet në gjithë Bregun Perëndimor, përfshirë Kudsin Lindor të pushtuar. Këto sulme përfshijnë vrasje, arrestime, zhvendosje të detyruar, shkatërrime të shtëpive dhe zgjerim të paligjshëm të vendbanimeve.

