Përhapja aktuale e Ebolës në Republikën Demokratike të Kongos mbetet “jashtëzakonisht serioze” mes transmetimit të vazhdueshëm, thanë të mërkurën Qendrat Afrikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (Africa CDC), ndërsa numri i viktimave ka kaluar mbi 3.000, transmeton Anadolu.
Të paktën 3.009 persona kanë vdekur nga Ebola, nga 6.206 raste të konfirmuara që nga shpërthimi i epidemisë në maj, njofton Africa CDC.
Jean Kaseya, drejtor i përgjithshëm i Africa CDC, tha se kur epidemia u shpall më 15 maj, ajo ka prekur një provincë dhe dy zona shëndetësore, por që atëherë është përhapur në 60 zona shëndetësore në gjashtë provinca.
Kjo zonë ka një sipërfaqe prej rreth 240.000 kilometrash katrorë, e krahasueshme me madhësinë e Mbretërisë së Bashkuar dhe gati pesë herë më e madhe se Zvicra.
“Pavarësisht përpjekjeve të konsiderueshme të qeverisë dhe partnerëve, ende nuk kemi arritur aty ku duhet të jemi”, tha Kaseya në një postim në platformën sociale amerikane X.
“Ne nuk do të dorëzohemi derisa kjo epidemi të vihet nën kontroll”, shtoi ai.
Ai tha se epidemia mbetet prioriteti më i lartë i Africa CDC-së, ndërsa organizata po punon ngushtë me Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH) dhe partnerë të tjerë për të mbështetur qeverinë në forcimin e çdo aspekti të reagimit ndaj epidemisë.
Provincat e prekura përfshijnë Haut-Uele, Ituri, Kivu e Veriut, Kivu e Jugut, Bas-Uele dhe Tshopo.
Ministria e Shëndetësisë tha se 1.409 persona janë shëruar, ndërsa 830 pacientë mbeten në izolim ose të shtruar në spital.
OBSH-ja të mërkurën nxori udhëzime të reja emergjente për përdorimin e vaksinave të licencuara kundër Ebolës gjatë epidemisë së sëmundjes së shkaktuar nga virusi Bundibugyo, pas një takimi të jashtëzakonshëm të Grupit Strategjik Këshillimor të Ekspertëve për Imunizimin.
Meqenëse provat mbeten të pamjaftueshme për të mbështetur përdorimin e vaksinës Ervebo në kuadër të programeve për parandalimin e sëmundjes së shkaktuar nga virusi Bundibugyo, OBSH-ja rekomandoi që Ervebo të përdoret vetëm në kuadër të një protokolli kërkimor.

