Asgjë për t’u çuditur nga një vend që nacionalizimin vrastar e ka në ADN
Eshtrat e ekzekutorit Ratko Mlladiç, i cili vdiq në burgun e Tribunalit të Hagës ku po vuante dënimin me burgim të përjetshëm për krime lufte, u transportuan në Beograd vonë pasditen e së enjtes, më 3 shtator, me një aeroplan qeveritar serb, dhe sipas informacioneve jozyrtare nga mediat pro-qeveritare të Beogradit, varrimi është planifikuar për të hënën, më 7 shtator.
Ratko Mlladiç, ish-komandant i të ashtuquajturës Ushtri Serbe e Bosnjës (VRS), i cili u dënua përfundimisht për gjenocid në Srebrenicë, krime kundër njerëzimit, dëbime dhe deportime, vdiq më 27 gusht në paraburgim të Mekanizmit Ndërkombëtar të Mbetur për Tribunalet Penale në Hagë.
Arkivoli me trupin u shoqërua në aeroplan nga Holanda nga djali i Mlladiçit, Darko, mbesa Anastasija, ministri serb i Drejtësisë Nenad Vujiç dhe dy nga shokët e luftës të Mlladiçit, dhe me të zbritur në Beograd, u transferua në Akademinë Ushtarake Mjekësore ku do të kryhet një autopsi, raportoi agjencia e lajmeve Tanjug.
Qindra mbështetës të Mlladiçit u mblodhën në disa mbikalime mbi autostradën drejt qendrës së Beogradit, duke mbajtur lart pankarta me mbishkrimet “Mlladiç hero serb”, “Faleminderit Gjeneral”, “Heronjtë nuk vdesin kurrë”.
Sipas mediave të Beogradit, një përkujtimore me rastin e vdekjes së Mladiçit do të mbahet më 5 shtator në Sallën Ushtarake në Beograd, dhe ai do të varroset më 7 shtator në varrin familjar në Varrezat Topçider. /tesheshi.com/

