RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

​Trepça kthen prona që i ishin uzurpuar në veri, sot rimori ish Bankën Komerciale në Zveçan

​trepca-kthen-prona-qe-i-ishin-uzurpuar-ne-veri,-sot-rimori-ish-banken-komerciale-ne-zvecan

Ndërmarrja publike „Trepça“ ka rikthyer në posedim të saj ambientet e ish-Bankës Komerciale në qendër të Zveçanit, pasi më 12 gusht kishte lënë një njoftim zyrtar për lirimin e pronës.

Ushtrues detyre i kryeshefit ekzekutiv të „Trepçës“, Faton Ahmeti, ka konfirmuar për KosovaPress se po vazhdojnë edhe aksionet tjera për identifikimin dhe kthimin e pronave të ndërmarrjes që janë shfrytëzuar pa dokumentacion valid.

„Ne kemi edhe disa parcela të tjera që jemi duke i inkuadruar në pjesën e ndërmarrjes. Janë edhe disa objekte që ne ndërkohë jemi duke i gjetur, për arsye që s’kemi pasur informacione më herët. Edhe në këtë rast është pjesa e postës, e një barnatoreje dhe ish-banka e strukturave që ka qenë. Ne po i kryejmë punët tona në bazë të autorizimeve, duke mbrojtur pasurinë e ndërmarrjes dhe kthimin e saj te pronari“, u shpreh Ahmeti.

Ai theksoi se para çdo ndërhyrjeje ndiqen procedurat e paralajmërimit dhe se shfrytëzuesve u jepet hapësirë kohore për të paraqitur dokumentacionin e pronësisë, nëse e posedojnë atë.

„Para se të lirohet ajo pronë, ne zakonisht i bëjmë disa njoftime në dyert e hyrjeve. Nëse ata kanë ndonjë dokument që ne nuk e kemi, u japim hapësirë prej disa ditësh me e sjellë. Për shembull, ka pasur rast kur na kanë sjellë kontratën e shitblerjes apo fletën poseduese dhe ne atëherë nuk marrim asnjë masë. Në rastet kur nuk sjellin asnjë dokument që dëshmon se prona është e tyre, atëherë marrim masat tona për lirimin e saj“, sqaroi ai.

Pas skadimit të afateve të paralajmërimit, sipas Ahmetit, njoftohet policia, por vetëm për prani gjatë intervenimit për hapjen e lokalit, ndërsa vetë aksioni kryhet nga zyrtarët e ndërmarrjes.

Duke folur për terrenin në veri të vendit, ai njoftoi se informatat mblidhen në mënyrë kronologjike përmes një task-force të organizuar nga vetë ndërmarrja.

„Vetëm në këto dy javë bëhet fjalë diku afërsisht pesë lokale që i kemi kthyer, dhe një parking të madh me disa garazha, mbi 1600 metra katrorë. Këtu nuk jemi shumë, s’kemi shumë informacione, por ndërkohë kur e marrim një informacion se diçka është e jona, kemi një task-force të organizuar, bëjmë koordinim me Administratën Tatimore dhe Inspektoriatin Komunal, i marrim informacionet dhe fillojmë deri te kthimi i pronës“, përfundoi Ahmeti.

Aksioni për lirimin e disa objekteve në veri të Kosovës ka nisur në mesin e gushtit. Fillimisht, më 12 gusht, njoftime për lirimin e hapësirave u vendosën në ish-Postë, ish-Bankën Komerciale në Zveçan dhe një barnatore që atëherë ishte ende në funksion.

Më pas, njoftime të ngjashme u vendosën edhe në Shtëpinë e Pensionistëve dhe në një kafene në shëtitoren e Mitrovicës së Veriut. Më 28 gusht, aksioni u shtri edhe në një objekt garazhi në Zveçan.

Related posts

U takua me Vuçiqin, KGJK ia ul 30 për qind pagën kryetares së Gjykatës në Mitrovicë

admin

SHBA voton projektligjin e diskutueshëm FISA, i lejon shërbimeve sekrete amerikane të mbikëqyrin shtetasit e huaj! Përgjimi, përmes celularit ose rrjeteve sociale

admin

U arrestua nga autoritetet në Serbi, lirohet zv/ drejtori i Policisë së Kosovës

admin