Të paktën katër persona u vranë dhe 20 të tjerë u plagosën nga sulmet ajrore izraelite në disa zona të Libanit jugor të dielën në mëngjes, njoftoi Ministria libaneze e Shëndetësisë, ndërsa Izraeli vazhdoi shkeljet e përditshme të marrëveshjes kornizë të ndërmjetësuar nga SHBA-ja, transmeton Anadolu.
Qendra e Operacioneve Emergjente e ministrisë bëri të ditur se dy persona u vranë dhe dy të tjerë u plagosën në Nabatieh al-Fawqa, ndërsa tetë persona, përfshirë një grua dhe një vajzë, u plagosën në lagjen Al-Rahibat të Nabatiehut.
Në Arab Salim, dy gra u vranë dhe gjashtë persona, përfshirë dy vajza, u plagosën, ndërsa katër gra u plagosën në Kfar Remman, njoftoi ministria.
Agjencia Kombëtare e Lajmeve e Libanit (NNA) raportoi më herët se avionët luftarakë izraelitë goditën një shtëpi në Arab Salim, duke vrarë dy gra dhe plagosur gjashtë persona, të cilët u dërguan nga ekipet e emergjencës në spitalet e Nabatiehut.
Avionët luftarakë izraelitë goditën gjithashtu një shtëpi tjetër në Arab Salim, duke e shkatërruar plotësisht atë, raportoi agjencia.
NNA-ja bëri të ditur se avionët luftarakë izraelitë kryen një seri sulmesh në disa zona të Libanit jugor që nga orët e para të mëngjesit.
Në mesin e objektivave ishte edhe shtëpia e Ali Moallemit, ish-kryetarit të bashkisë së Kfar Remmanit, pranë zonës industriale të qytetit në rrethin Nabatieh, ku disa persona u plagosën, sipas agjencisë.
Sulmet izraelite në Libanin jugor janë intensifikuar ditët e fundit pasi ushtria izraelite pretendoi se kishte interceptuar një dron që dyshohet se ishte lëshuar nga Hezbollahu në drejtim të forcave të saj që operojnë në atë që Tel Avivi e quan “zonë sigurie” në Libanin jugor.
Sulmet vijnë pavarësisht marrëveshjes kornizë të sponsorizuar nga SHBA-ja, të nënshkruar më 26 qershor, e cila parashikon një tërheqje graduale të Izraelit nga territori libanez në këmbim të dislokimit të ushtrisë libaneze.
Izraeli ka kryer sulme ndaj Libanit që nga 2 marsi, duke vrarë 4.358 persona dhe plagosur 12.359 të tjerë, ndërsa më shumë se 1 milion njerëz janë zhvendosur, sipas autoriteteve libaneze.
Izraeli vazhdon të pushtojë zona të Libanit jugor, përfshirë territore që i ka mbajtur për dekada, si dhe zona të tjera të pushtuara gjatë konfliktit të viteve 2023-2024, ndërsa forcat e tij kanë avancuar më shumë se 10 kilometra brenda territorit libanez gjatë konfliktit aktual.

