Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov i cilësoi akuzat ndaj Rusisë lidhur me një incident me dron në Aeroportin e Leipzigut në Gjermani si “fillimin e një lufte të vërtetë”, transmeton Anadolu.
Në një intervistë për median Vesti, Lavrov theksoi se “askush nuk u shqetësua të hetonte” se kujt i përkiste droni.
“Ky është në thelb fillimi i një lufte të vërtetë”, tha ai.
“Më kujtohet se para fillimit të Luftës së Dytë Botërore, ose më saktë Luftës së Madhe Patriotike, gjermanët gjithashtu mbyllën misionet e tyre diplomatike”, shtoi ai, duke iu referuar dëbimit nga Gjermania të Konsullatës së Përgjithshme Ruse në Bon dhe mbylljes së Shtëpisë Ruse në Berlin.
Lavrov tha se “kjo lloj loje është absolutisht e papranueshme”, duke shtuar: “Ata duan përsëri luftë”.
Të martën, Gjermania e akuzoi zyrtarisht Rusinë për incidentin e tentativës për përdorimin e një droni në Aeroportin e Leipzigut, pranë avionëve ukrainas të transportit të mallrave, dhe njoftoi sanksione të gjera ndaj Moskës. Masat përfshijnë mbylljen e Konsullatës së Përgjithshme Ruse në Bon deri më 18 shtator, përfundimin e një marrëveshjeje gjermano-ruse të vitit 2011 për qendrat kulturore dhe mbylljen e Shtëpisë Ruse në Berlin. Gjermania urdhëroi gjithashtu stafin dhe familjet e tyre të largohen nga Rusia sa më shpejt të jetë e mundur.

