Me nisjen e vitit të ri shkollor në Austri ka hyrë në fuqi ligji që ndalon mbajtjen e shamisë islame në shkolla nga vajzat nën moshën 14 vjeç.
Ligji ndalon mbulesat tradicionale myslimane, përfshirë hixhabin dhe burkën, në shkollat publike dhe private në të gjithë vendin.
Ministrja e Integrimit, Claudia Bauer, nga Partia Popullore Austriake (ÖVP), e ka cilësuar shaminë si “shenjë shtypjeje dhe mjet për kontrollin e vajzave që nga fëmijëria”.
Qeveria, e përbërë nga ÖVP, Social Demokratët (SPÖ) dhe partia liberale Neos, thotë se ndalimi është një “angazhim i qartë për barazinë gjinore” dhe synon mbrojtjen e të drejtave të vajzave të reja.
Megjithatë, ligji është kundërshtuar nga Komuniteti Islamik në Austri (IGGÖ), i cili thotë se ndalimi kufizon në mënyrë të pajustifikueshme lirinë e besimit dhe prek në mënyrë disproporcionale vajzat myslimane.
Përfaqësuesja e IGGÖ, Carla Amina Baghajati, tha se organizata do të mbështesë familjet që duan ta kundërshtojnë ligjin në Gjykatën Kushtetuese.
Gjykata Kushtetuese e Austrisë kishte rrëzuar një ndalim të mëparshëm të shamisë në shkollat fillore në vitin 2020, duke argumentuar se ai binte ndesh me parimin e neutralitetit fetar të shtetit.
Sipas ligjit të ri, mësuesit duhet të ndërhyjnë kur një nxënëse paraqitet me shami dhe fillimisht të zhvillojnë biseda me të dhe kujdestarët e saj ligjorë. Në rast përsëritjeje, mund të njoftohen shërbimet sociale për fëmijët, ndërsa në raste të fundit kujdestarët mund të gjobiten deri në 800 euro.
Partia e ekstremit të djathtë FPÖ kërkon masa edhe më të ashpra, duke bërë thirrje për ndalim të përgjithshëm të shamisë dhe mbulesave të fytyrës për nxënësit dhe mësuesit.
Kundërshtarët e ligjit paralajmërojnë se ai mund të nxisë ndjenjat anti-myslimane dhe të përbëjë problem kushtetues. /mesazhi

