RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Kroacia bën thirrje për ndërmarrjen e hapave kundër përkujtimit dhe glorifikimit të Mlladiqit

kroacia-ben-thirrje-per-ndermarrjen-e-hapave-kunder-perkujtimit-dhe-glorifikimit-te-mlladiqit

Përkujtimi dhe glorifikimi i kriminelit të luftës Ratko Mlladiq tregojnë një gjendje shqetësuese shpirtërore dhe janë të papajtueshme me vlerat e Bashkimit Evropian (BE), vlerësoi sot ministri i Punëve të Jashtme dhe Evropiane i Kroacisë, Gordan Gërliq Radman, raporton Anadolu.

“Ju e dini se për krimet për të cilat është përgjegjës Ratko Mlladiq në Kroaci, para së gjithash në Shkabërnja, Knin dhe rrethinat e Zarës, ai kurrë nuk është përgjigjur, ndërsa është dënuar për gjenocid në Srebrenicë. Por, glorifikimi i tanishëm i këtij krimineli të luftës është vërtet i papajtueshëm me vlerat evropiane”, tha Gërliq Radman në Lug pranë komunës Bugojno në Bosnjë e Hercegovinë, ku me mbështetjen financiare të qeverisë kroate po ndërtohet Shtëpia Kroate.

Mijëra njerëz u mblodhën sot në Beograd, kryeqytetin e Serbisë, për t’i dhënë lamtumirën kriminelit të dënuar të luftës Ratko Mlladiq.

Gërliq Radman iu referua edhe mesazheve përmes të cilave Mlladiq glorifikohet jo vetëm në Serbi, por edhe në Mal të Zi, duke thënë se kjo është “para së gjithash një fyerje për viktimat dhe familjet e tyre, për të mbijetuarit dhe familjet e viktimave”.

Ai bëri thirrje për ndërmarrjen e hapave për mbrojtjen e vlerave evropiane, veçanërisht në shtetet nga të cilat vijnë mesazhe të tilla dhe që janë kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Të shtunën, në Shtëpinë e Ushtrisë së Serbisë në Beograd u mbajt ceremoni përkujtimore për kriminelin e dënuar të luftës, ish-komandantin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Republikës Sërpska, i cili vdiq më 27 gusht në burgun e Hagës, ku po vuante dënimin e përjetshëm.

Mlladiq u dënua përfundimisht në qershor 2021 me burgim të përjetshëm për gjenocidin në Srebrenicë, persekutimin e boshnjakëve dhe kroatëve, terrorizimin e popullsisë së Sarajevës dhe marrjen peng të pjesëtarëve të UNPROFOR-it.

Vdekja e tij shkaktoi reagime të shumta në Bosnjë e Hercegovinë, Serbi dhe në opinionin ndërkombëtar. Komisarja evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, anuloi vizitën e planifikuar në Serbi, duke deklaruar se glorifikimi i Mlladiqit është i papajtueshëm me vlerat evropiane dhe procesin e përballjes me të kaluarën.

Më 3 shtator, Mekanizmi Rezidual Ndërkombëtar për Tribunalet Penale ua dorëzoi mbetjet mortore të Mlladiqit të afërmve të tij më të ngushtë në aeroportin Roterdam-Hagë.

Related posts

Erdoğan: Terroristët janë pranuar pothuajse në të gjitha vendet e Evropës

admin

Ish-diplomati amerikan vijon dëshminë në Hagë, merret në pyetje nga avokati i Thaçit

admin

Studimi paralajmëron për varësinë digjitale të Evropës

admin