Ministri izraelit i Financave, Bezalel Smotrich, i ka shpallur Marrëveshjet e Oslos “të pavlefshme” dhe ka pretenduar se edhe zonat A dhe B të Bregut Perëndimor të pushtuar i përkasin Izraelit, ndërsa ka bërë thirrje për shpërbërjen e Autoritetit Palestinez, transmeton Anadolu
Duke folur në një konferencë të dielën, Smotrich, i cili gjithashtu drejton partinë Sionizmi Fetar, pranoi se qëndrimi i tij ndryshon nga ai i kryeministrit Benjamin Netanyahu.
“Sidoqoftë, Oslo është e pavlefshme. Sidoqoftë, edhe zonat A dhe B janë tonat. Ky është një mospajtim me kryeministrin”, tha ai.
Smotrich tha se Netanyahu, sipas dijenisë së tij, kishte urdhëruar evakuimin e vendeve të ngritura në zonat A dhe B, vendim të cilin ai e kundërshton.
“Netanyahu, me sa kam dijeni, dha udhëzim për evakuimin e vendeve të ngritura në zonat A dhe B. Nuk më pëlqen ai udhëzim”, tha ai.
Ministri i kabinetit nga ekstremi i djathtë bëri gjithashtu thirrje për shpërbërjen e Autoritetit Palestinez, duke e quajtur atë një “entitet terrorist” dhe duke e akuzuar për nxitjen dhe financimin e sulmeve, si dhe për nxitje kundër Izraelit.
Smotrich gjithashtu parashikoi një operacion të madh ushtarak izraelit në Bregun Perëndimor të pushtuar.
“Në të ardhmen e afërt nuk do të mund të shmanget një luftë në Jude dhe Samari, në të cilën do t’i çarmatosim të gjithë arabët në Jude dhe Samari”, tha ai, duke përdorur emërtimin biblik për Bregun Perëndimor të pushtuar.
Ai pretendoi se në këtë territor ka dukshëm më shumë armë sesa pranojnë autoritetet izraelite, duke argumentuar se Izraeli duhet t’i vlerësojë kundërshtarët e tij sipas kapaciteteve të tyre dhe jo sipas qëllimeve të tyre.
Smotrich gjithashtu theksoi masat izraelite në Zonën C, duke përmendur zgjerimin e komuniteteve dhe fermave, ndërtimin e rrugëve, shpalljen e tokave dhe mijëra njësi banimi, si dhe ndryshimet në mekanizmat ligjor dhe administrative që rregullojnë territorin.
Bregu Perëndimor u nda në zonat A, B dhe C sipas Marrëveshjes Oslo II të vitit 1995. Zona A është nën kontrollin administrativ dhe të sigurisë palestineze, Zona B është nën administrimin palestinez dhe kontrollin izraelit të sigurisë, ndërsa Zona C, e cila përbën rreth 60 për qind të Bregut Perëndimor, është nën kontrollin e plotë izraelit.
Izraeli e ka pushtuar Bregun Perëndimor, përfshirë Kudsin Lindor, që nga viti 1967.

